E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti i Rinasit dhe Junkiet (xhankit) e suvenireve!!!



Nga Klodiana Gjinaj

Kur një udhëtar shqiptar kthehet ose niset për udhëtim nga aeroporti “Nënë Tereza” nuk mund t’ia fshehë vetes një afsh pëlqimi dhe krenarie për ambientin që gjithë infrastruktura e aeroportit ofron që prej më shumë se dy vitesh. Më në fund kemi një aeroport dinjitoz. Ndonëse në hapësira modeste, në të ofrohet kafe, ushqim, dyqane rrobash, duty free dhe gjithçka që i nevojitet një udhëtari për të konsumuar, ndërsa shuan tensionin e pritjes. Çdo shërbim këtu është i ngjashëm me aeroportet e botës si për logot e famshme të emrave prestigjiozë ashtu edhe mallrat, parfumet, veshjet, bizhutë dhe ekspozimi. Por një gjë mungon. Një dyqan i mirëfilltë suveniresh që promovon identitetin lokal. Nga të gjitha dyqanet që aeroporti ynë ofron, nuk është të paktën njëri i dedikuar tërësisht ndaj këtij riti gati nevojë të udhëtarit. Në fakt, të sjellësh suvenire me vete nga udhëtimet e shumta është një punë me vlerë. Aleksandrit të Madh iu deshën 3000 gamile për të mbajtur suveniret që kishte gjetur në kryeqytetin persian në 330 para Krishtit, duke përhapur në boten e qytetëruar të gjitha mallrat kurioze që gjeti në vendin ekzotik. Çdonjëri prej nesh është tunduar të blejë suvenire që jo vetëm i kujtojnë vendin ku ka udhëtuar, por kudo qofshin blerë, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, shërbejnë për t’i vënë si trofe udhëtimesh në shtëpi ose për t’ia shpërndarë miqve si kujtesë të kulturave dhe vendeve të vizituara. Pra, riti i blerjes së tyre nuk është një kënaqësi pa vlerë, është gati nevojë dhe shpesh vlera nuk qëndron në atë se sa i mirë dhe me cilësi është tapeti tibetian, mbajtësja britanike e çelësave apo nargjileja turke sesa fakti që është blerë fiks në Nepal, Londër apo Stamboll. Kush udhëton, e ka provuar të paktën një herë thirrjen e minutës së fundit për të blerë një dhuratë një miku apo familjari. Po kështu, nëse ke harruar të marrësh një kujtim nga vendi që sapo ke vizituar, aeroporti është ndalesa e fundit që me atë që të ofron, ta heq këtë stres. Dhe për të vrarë kohën dyqani që të ngjall më shumë kuriozitet është ai i suvenireve, por edhe sikur të mos jetë kështu, është dyqani që tërheq më shume cepin e syrit. Është këtu që duhet të ndalemi… Dhe shqetësimi nuk ka të bëjë me komoditetin për udhëtarët që kalojnë në Rinas sesa është një nxitje për të shfrytëzuar këtë gati nevojë të udhëtarëve (kryesisht turistëve) për të promovuar suvenire shqiptare përtej kufirit tonë sikurse prezanton veten çdo vend i zhvilluar sot. Një suvenir ‘shet’ më shumë se 100 reklama në CNN. Aeroportet në të gjithë botën janë të mbushura me dyqane që shesin këtë artikull shumë efektiv për të promovuar identitetin në kontekstin e marrëdhënieve ndërkulturore, ku edhe ne kemi plot për të ofruar si miniaturë të kulturës tonë. Që në vitin 2005 Këshilli Britanik ka nisur një fushatë botërore për krijimin e suvenireve cilësore, fushatë kjo që fokusohet në mënyrë të veçantë në ato pjesë të botës që nuk kanë simbole bashkëkohore efektive apo produkte promovuese të imazhit. Kjo, pasi suveniret janë ngritur nga një artikull kitch në një projektim të vlefshëm të kulturës vizuale të një vendi në mënyrë të veçantë në një kohë kur sa vjen e më shumë vende promovojnë suvenire të krijuara bukur artistikisht të cilat paketohen në mënyrë atraktive dhe që mbartin identitetin kombëtar për t’u kujtuar vizitorëve se nga ku sapo janë kthyer. Mungesa e një dyqani të mirëfilltë suveniresh në mjediset e aeroportit është tërësisht e pajustifikuar po të kujtojmë se tradita jonë vazhdon të rikrijohet nga dhjetëra artizanë në mbarë vendin. Prandaj, në rastin e një neglizhence ose harrese, do të ishte mirë që nga ana e autoriteteve që administrojnë aeroportin e Rinasit, por edhe bizneseve, të mendohej seriozisht për t’i dhënë hapësirën e duhur një aktiviteti suveniresh me qëllim promovimin e kulturës sonë në vendin ku ndihet më shumë se kudo uniformiteti i globalizmit...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›