E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uizner: Kosova është anëtare e familjes së shteteve

Oslo - Ambasadori Frenk Uizner, ish i dërguari amerikan në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, tha se megjithë paqartësitë dhe problemet ekzistuese, 10 muajt e parë të pavarësisë kanë ecur mirë dhe vëmendja duhet përqendruar tek ajo që është arritur. Në intervistën dhënë "Zërit të Amerikës", Uizner tha se parashikon që politika e administratës së re amerikane për Ballkanin të vazhdojë në gjurmët e atyre pararendëse. Uizner beson që statusi aktual i Kosovës, pavarësia e saj, pozicioni i saj i komunitetin ndërkombëtar, dislokimi i misionit të EULEX it, janë të gjitha të parashikuara në planin Ahtisaari. "Ky plan është në themelin e rrugës që vendosën të ndjekin Shtetet e Bashkuara kur njohën pavarësinë e Kosovës. Plani Ahtisaari është korniza e pavarësisë pothuajse njëvjeçare të Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe për disa kohë", tha Uizner, duke shtuar se nuk beson se ky plan po anashkalohet. Në lidhje me pohimet se EULEX i mund të mbajë një qëndrim për status neutral në Kosovë, Uizner tha se "serbët po fusin konceptin e statusit neutral, sepse nuk e kanë pranuar statusin". "Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk bëhet fjalë për paanësi në këtë status: Kosova është anëtare e familjes së shteteve dhe pikë", nënvizoi Uizner. QIK

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›