E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ujërat e zeza në sipërfaqe e rrugë 600 banorë kërcënohen nga epidemia

16/04/2005  Ndoten edhe ujërat e bardha, banorët në pritje

SHKODËR – Banorët e lagjes “Partizani” në qytetin e Shkodrës rrezikohen nga sëmundje epidemike për shkak të daljes në sipërfaqe të ujërave të zeza. Banorët e kësaj lagje, jo shumë larg nga qendra e qytetit, kanë frikë për jetën e tyre, pasi prej disa ditësh ujërat e zeza janë bashkuar me ujërat e bardha, duke e bërë ujin e çezmave të shtëpive të tyre të papërdorshëm as për pirje, as për gatim e as për larje. Mungesa e një kapaku në pusetën kryesore të tubacionit të ujit ka bërë që mes 500-600 banorëve të kësaj zone të përhapet paniku se uji që ato pijnë nuk është i përdorshëm dhe i dëmshëm për shëndetin e tyre.

Rreziku i epidemive

Ndërsa banorët e qytetit të Shkodrës krenoheshin vazhdimisht për cilësinë e ujit të pijshëm, me të cilin furnizohet ky qytet, banorëve të njërës prej lagjeve të Shkodrës u ka hyrë frika e marrjes së ndonjë sëmundjeje nga ky ujë. Janë pikërisht banorët e lagjes “Partizani”, ose siç quhet ndryshe nga shkodranët rruga e “Tregut të Ri”, që janë frikësuar nga rreziku i përzierjes së ujërave të zeza me ujin e pijshëm. Një banor i kësaj lagjeje, Izmir Aliaj, shprehet se deri tani ata janë nervozuar me mosmarrjen e masave për rregullimin e rrugës krejtësisht të shkatërruar, megjithatë – thotë Aliaj - sikur u mësuam edhe me atë, por shqetësimi i tyre që prej disa ditësh lidhet me ujin që pijnë. “Ka disa ditë që kanë shpërthyer ujërat e zeza dhe kanë dalë mbi rrugë, por këto ujëra të zeza kanë marrë tashmë drejtimin drejt pusetës ku ndodhen tubacionet dhe saraçineska kryesore e ujit të pijshëm. Fatkeqësisht edhe kapaku i pusetës është thyer prej disa ditësh dhe këto ujëra të zeza janë duke depërtuar brenda pusetës, duke rrezikuar që pak nga pak këto ujëra të zeza të depërtojnë brenda saraçineskës dhe tubacioneve të ujit të pijshëm, duke rrezikuar sëmunjen apo edhe jetën për rreth 500-600 banorë që pijnë nga uji i këtyre tubacioneve.”

Ndërhyrja e banorëve

Sipas Izmir Aliaj, komshijtë e tij kishin shkuar dhe ishin interesuar te ndërrmarrja e kanalizimeve për të kërkuar të paktën ndërrimin apo mbylljen hermetike të kapakut të pusetës, por deri tani askush nuk është dukur për të vënë dorë në të dhe banorët nuk dijnë se ku mund të drejtohen për ta zgjidhur këtë problem. “Ne jemi munduar, shprehet banori Aliaj, i lagjes “Partizani”, që të bëjmë prita dheu dhe të devijojmë ujërat e zeza, por kjo nuk pati ndonjë efekt, pasi rruga qëndron gjithmonë e mbushur plot me ujë.” Pikërisht uji i përhershëm e ka prishur rrugën, megjithëse është asfaltuar dy herë para vitit 1997. E mira është që të merret dikush fillimisht me këto kanalizime, që edhe ujë të mos ketë më në rrugë, edhe ujërat e zeza të mos na përzihen me ujin e pijshëm, por në fund të fundit, në qoftë se do ta shtrojnë e asfaltojnë ndonjëherë këtë rrugë, pa kanalizimet e duhura uji do të dalë si gjithmonë dhe do ta shkatërrojë përsëri asfaltin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›