E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i Bekuar, festa në Durrës, Korçë, Berat Gjirokastër, Elbasan

TIRANE- Dita e Ujit të Bekuar është festuar në disa qytete të vendit. Qindra banorë në qytetin e Durrës janë bërë pjesë e ceremonisë së përvitshme e cila organizohet cdo 6 janar.
Pas ceremonisë në kishë e më pas ecjes në rrugët e qytetit, kryqi është hedhur në ujë, për tu kapur nga besimtarët duke u zhytur. I njëjti rit fetar është kryer dhe në Elbasan, ku kanë marrë pjesë qindra besimtarë ortodoksë, ndërsa kryqi është kapur për të katërtin vit radhazi nga i njëjti person, Julian Juli. Kryqi është hedhur në kompleksin e pishinave "AJEK".
Ceremonisë së vecantë këtë fillim janari i janë bashkuar dhe besimtarët në Korcë, Berat e Gjirokastër.
Kjo e kremte nis që në datën 5 janar, kur kryhen Shërbesat e Orëve të Mëdha, Mbrëmësores së Madhe me Liturgjinë e Vasilit të Madh si dhe të Bekimit të Madh të Ujit. Më datën 6 kryhet shërbesa e Liturgjisë së Joan Gojartit, shërbesa e Bekimit të Madh të Ujit si edhe ceremonia e hedhjes së Kryqit. Pas shërbesës së Bekimit të ujit, besimtarët marrin ujin e bekuar, duke e përdorur atë për shërim shpirtëror e trupor, për familjen dhe të afërmit e tyre.
Mbas kryerjes së këtij riti, besimtarët kanë marrë nga uji i bekuar, të cilin e mbajnë për një vit të plotë në shtëpitë e tyre.
Hedhja e kryqit në ujë sinjifikon bekimin e plotë të të gjithë ujrave sipas traditës së lartë të kishës dhe të mbarë njerëzimit.
Në këtë ditë bekohen të gjithë ujrat, lumenjtë liqenet dhe detrat në të gjithë botën.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›