E Shtunë, 31 Tetor 2026

I ngacmuan kushërirën, e plagosin edhe me kaçavidë

Tiranë

Kishte shkuar për të sqaruar një problem për ngacmimin e kushërirës, por ka marrë si përgjigje disa goditje me kaçavidë. Ngjarja ka ndodhur në Yrshek të Tiranës, ndërkohë që policia ka prangosur autorin. Sipas të dhënave, pasditen e djeshme është njoftuar se në spital ka mbërritur i plagosur Edmond Sade, i cili kishte marrë disa plagë me mjete prerëse. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur një grup pune i policisë, që ka marrë në pyetje dëshmitarët okularë, duke bërë të mundur identifikimin e autorit, që rezultoi të jetë Jaçe Canka, 18 vjeç. Sipas të dhënave, dy të rinjtë kanë qenë në bilardo pranë shkollës “Sadik Stavileci”, kur kanë filluar të bëjnë një debat në lidhje me ngacmimin e kushërirës së Sades. Ata kanë dalë jashtë dhe 18-vjeçari e ka goditur me thikë 17-vjeçarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Shumë shpejt policia ka mundur ta vendosë në pranga, ndërkohë që ka mësuar se mes dy protagonistëve ka pasur edhe një konflikt tjetër brenda pak ditësh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›