Ukrainë/ Aprovohet pakti për bazën ruse, trazira në Parlament
Rada ukrainase ka ratifikuar përzgjatjen e afatit te qerasë për përdorimin nga flota ruse të bazës detare të Sevastopolit , në Detin e Zi, dhe sipas kontratës, afati zgjatet deri në 2042-shin. Me 236 vota pro, 10 më shumë se minimumi i kërkuar për ta kaluar atë, parlamenti ukrainas e aprovoi marrëveshjen e cila sipas ish kryeministres Julia Timoshenko, ishte një ratifikim i arritur me "tradhëti" dhe i turpshëm. Marrëveshja ishte nënshkruar në 21 prill mes presidentit ukrainas, Viktor Jnaukoviç dhe homologut të tij rus, Dimitri Medvedev. Në shkëmbim të përdorimit të bazës ushtarake, Rusia do ta furnizojë Ukrainën me gazin rus, me një çmim 30% më të lirë se çmimi aktual. Pas miratimit, në sallën e parlamentit janë regjistruar skena kaotike, pasi salla është kthyer në arenë të përleshjeve ndërmjet deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës. Salla është mbushur me gaz lotsjellës ndërsa parlamentarët janë përleshur me njëri tjetrin duke përdorur edhe dhunë. Ata kanë qëlluar njëri tjetrin me grushta, ndërsa nuk kanë nguruar të qëllojnë edhe me blloqe letrash. Deputetet opozitarë nuk kanë rënë dakord me miratimin e marëveshjes e cila e lejon marinën ruse që të shtyjë qëndrimin e saj në portin ukrainas edhe për disa dekada të tjera në bazën e Krimesë. Ligjbërësit ukrainas kanë qëlluar madje edhe me vezë dhe bomba me tym në sallën e Kuvendit. Kreu i parlamentit ka përdorur një çadër për t'u mbrojtur nga godtija me vezë. Nacionalistët ukrainas, të kryesuar nga ish kryeministrja Yulia Tymoshenko dhe ish presidenti Viktor Yushchenko, e cilësuan një miratim të tillë si një tradhëti ndaj interesave kombëtare të Ukrainës.