Ukrainë, Tymoshenko i jep fund grevës së urisë

Ish kryeministrja e Ukrainës Julia Tymoshenko i ka dhënë fund grevës së urisë, të nisur më 20 prill, në shenjë proteste ndaj trajtimit të saj në burg, raportojnë agjencitë ruse të lajmeve .
Liderja e opozitës ukrainase do të fillojë të pijë lëngje dhe më vonë do të marrë ushqim të lehtë, citohet të jetë shprehur mjeku i saj personal.
Më herët është raportuar se autoritetet e brugut kanë dërguar në spital Tymoshenkon, pas shqetësimve për gjendjen e saj shëndetësore.
Në një deklaratë zyrtare thuhej se Timoshenko është shoqëruar nga ekipi mjekësor, ku përfshihej edhe mjeku gjerman Lutz Harms.
Yulia Tymoshenko u dënua me shtatë vjet burg në tetor e akuzuar për abuzim detyre, gjatë kohës kur ishte kryeministre e Ukrainës. Si bashkimi Europian ashtu dhe Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar gjyqin kundër saj si të motivuar politikisht duke kërkuar lirimin e saj të shpejtë.
Të martën, Ukraina ka shtyrë një samit të liderëve të Evropës Qendrore dhe Lindore, i përcaktuar për tu mbajtur këtë javë në Jalta, pasi presidentët e tetë shteteve kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre, në shenjë proteste ndaj trajtimit të Tymoshenkos.