E Diel, 1 Nëntor 2026

Uldedaj: Amnistia fiskale, të kryhet legalizimi i aseteve

Komuniteti i biznesit është shprehur pro projektligjit të qeverisë "Për amnistinë fiskale", por nga ana tjetër ata i kanë propozuar qeverisë që të kryejë legalizimin e aseteve të kompanive. 

Në një intervistë të dhënë për gazetën, kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, ka theksuar rëndësinë e legalizimit të aseteve të kompanive, pasi sipas tij, ka ardhur momenti që të saktësohen kapitalet e kompanive.
Qeveria ka miratuar një projektligj "Për amnistinë fiskale për biznesin", a ju duket i plotësuar si draft dhe a jeni dakord me të?
Derisa themi që jemi akoma në fazën e një drafti ligjor, ka mundësi rishikimi deri në përfundimin e tij. Por ky hap i deritanishëm duhet parë si mjaft i rëndësishëm për komunitetin e biznesit. E gjitha kjo ndodh për herë të parë në vendin tonë, nga ku është e parashikuar qartë falja e detyrimeve të papaguara doganore dhe tatimore. Detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor të automjeteve dhe taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, falja e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, si për institucionet shtetërore ashtu dhe për personat privatë. E thënë ndryshe, biznesi duhet të paguajë principalin (pra, detyrimin doganor apo tatimor) dhe në varësi të periudhës që ata e kanë të papaguar këtë borxh, do iu falen interesat dhe kamatëvonesat. Kjo është një risi për biznesin, duke e vendosur atë në marrëdhënie me të drejtë me shtetin.
Çfarë efektesh do të sjellë miratimi i këtij drafti për biznesin?
Natyrisht që kjo sjell një efekt pozitiv për biznesin, megjithatë ne kërkojmë të shkojmë më larg se kaq. Kërkimin e një formule për legalizimin e aseteve, që aktualisht mbajnë larg sistemit bankar një pjesë të mirë të bizneseve. Për këtë kemi ngritur një grup ekspertësh me juristë, ekonomistë dhe kemi gati draftin, në të cilin bëhet fjalë për legalizimin e aseteve në bilanc. Ka ardhur momenti që të saktësojmë kapitalet dhe vlerësimin e kompanive. Megjithëse, ligji i ri i Procedurave Tatimore dhe futja e taksës së sheshtë apo ulja e tatimit mbi fitimin në nivelin 10 për qind, kanë krijuar hapësira që të ketë përmirësime, ajo që biznesi ka kërkuar është gjetja e një formule për të legalizuar këto asete që të rritet sipërfaqja e kontaktit me sistemin bankar, që kompanitë të kreditohen dhe të ruajnë asetet dhe kapitalet e veta. Nëse do të arrihej një kombinim i tillë, atëherë do të hartohej një ligj i plotë, që u vjen në ndihmë të gjithë palëve.
A janë marrë parasysh propozimet tuaja në hartimin e këtij drafti? 
Ne po bëjmë vlerësimet tona për këtë draft dhe do të vijë koha që të shprehim opinionet tona për të. Ne jemi njohur me draftin e hartuar nga Ministria e Financave, pasi me këtë ministri ne kemi një bashkëpunim të mirë, sidomos në hartimin e ligjeve që kanë të bëjnë në vendosjen e marrëdhënieve shtet-biznes. Ashtu si në draftet e kaluara ligjore si ai i Procedurave Tatimore, ku një pjesë e vërejtjeve tona janë marrë në konsideratë, ashtu dhe këtë radhë padyshim do të jenë pjesë e kësaj nisme të ministrisë dhe para miratimit parlamentar, jam i bindur që do të ketë shkuar një projekt i detajuar, ku të gjitha propozimet tona të jenë marrë në konsideratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›