E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulqini: Papunësia shqetësim kryesor i shqiptareve

Deputeti i PS-së, Musa Ulqini është shprehur sot se papunësia është shqetësim i madh i qytetarëve shqiptarë. Sipas tij në një studim të bërë, 65% e 1300 të anketuarve në 5 qytete të vendit janë shprehur se papunësia është shqetësimi kryesor. 

TIRANE- Dy ditë më parë Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (ZMQ) publikoi një sondazh ku adresohen shqetësimet kryesore të qytetarëve. Papunësia – është listuar në krye të problemeve që shqetësojnë më tepër shoqërinë shqiptare sot. 65% e 1300 qytetarëve të anketuar në 5 qytete të vendit janë shprehur se papunësia është sot shqetësimi numër një i shoqërisë tonë.

Është evidente që qytetarët masivisht konsiderojnë moszgjidhjen e çështjes së papunësisë dhe premtimet për vende të reja pune si një program i dështuar i qeverisë – theksohet në vëzhgimin e Zyrës së Mbrojtjes së Qytetarëve.

Deputeti socialist, Musa Ulqini u shpreh se përballë shqetësimit kryesor të qytetarëve për papunësinë e lartë si treguesi më kritik i zhvillimit social ekonomik të vendit, tingëllojnë krejt absurde frazat propagandistike të kryeministrit Berisha, i cili çdo ditë përsërit pa pushim dhe pa u lodhur se: "Shqipëria ka rritjen më të madhe ekonomike në kontinent", se "programi social për njerëzit në nevojë i iniciuar nga ai dhe qeveria e tij është më i madhi në historinë e këtij vendi", se "ai është krenar përpara zotit dhe shqiptarëve që jo vetëm i ka mbajtur premtimet elektorale, por shumicën e tyre i ka tejkaluar, disa madje me shumëfish".

“Tre vjet e gjysmë pas këtyre premtimeve elektorale dhe zotimeve publike programore për punësimin dhe uljen e papunësisë Shqipëria ofron një realitet shumë larg asaj çfarë numri një i opozitës së atëhershme dhe kryeministri i sotëm u premtoi shqiptarëve”- tha Ulqini.

Në një raport të publikuar në 6 tetor nga "Geo Marketing" për fuqinë blerëse të popullatës në 41 vende të Evropës Shqipëria listohet si vendi i tretë në listën e vendeve më të varfra në Evropë, ku fuqia blerëse e shqiptarëve është 7 herë nën mesataren e qytetarëve të Evropës.

Këto ditë u publikua "Balkan Monitor" një botim i GALLUP i bazuar në një vrojtim me 1000 intervista të kryera në secilin vend të rajonit tonë gjatë periudhës shtator-tetor 2008. pyetjes sesi e vlerësoni gjendjen ekonomike të vendit, 7 ndër 10 qytetarë shqiptarë të intervistuar kanë deklaruar se ajo është e keqe. Gjithashtu 62% e qytetarëve shqiptarë janë shprehur në mënyrë kritike për qeverinë dhe qeverisjen.

Edhe raporti i publikuar dy ditë më parë nga ZMQ thekson se shqiptarët listojnë si shqetësimin kryesor të tyre papunësinë e lartë në vend.

(O.Zh/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›