E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatumi i Benitezit

Trajneri i Interit, Rafael Benitez kërkon përkrahje dhe përforcime, përndryshe kërcënon me largim nga detyra. Pavarësisht triumfit në Kampionatin botëror të klubeve, ai thotë se ekipi ka nevojë për një projekt konkret dhe katër-pesë blerje të reja. Por, presidenti Massimo Moratti mendon se nuk është koha për të folur për investime. Nga Express më 20 dhjetor 2010 në ora 10:09

Rafael Benitez lansoi atë që duket të jetë një ultimatum pas triumfit të Interit në Kampionatin botëror të klubeve, duke u thënë krerëve të klubit të sjellin përforcime në ekip nëse dëshirojnë ta mbajnë atë si trajner.

Benitez, i cili para triumfit në Abu Dhabi e kishte detyrën e rrezikuar, theksoi se marrëdhëniet e tij me presidentin e klubit, Massimo Moratti, janë të mira derisa përmendi tri pika që, sipas tij, janë të domosdoshme që ai të mbetet në krye të ekipit.

“E para, 100 për qind përkrahje ndaj trajnerit dhe katër ose pesë përforcime për të ndërtuar një ekip më të fortë që do të shtonte konkurrencën në mes futbollistëve dhe do të sillte fitore dhe tituj”, tha Benitez gjatë një konference për shtyp.

“E dyta, nuk mund të vazhdojmë kështu pa një projekt, pa planifikim dhe të fajësojmë vetëm një person dhe deri në fund të sezonit të shkojmë në këtë mënyrë. E treta, nëse nuk ekziston përkrahja, bisedoni me menaxherin tim dhe arrini një marrëveshje. Është shumë e thjeshtë”, shtoi ai.

Edhe pse Inter festoi titullin e tyre të tretë interkontinental, pas golave nga Goran Pandev, Samuel Eto’o dhe Jonathan Biabiany, forma e tyre në Serie A është brengosëse dhe ata aktualisht gjenden në pozitën e shtatë, 13 pikë prapa liderit Milan. Komentet e Benitezit kanë sjellë përgjigje të menjëhershme nga Moratti, i cili tha se nuk është koha për të folur rreth përforcimeve të reja.

“Nuk është momenti i duhur. Tani, tifozët e Interit janë të lumtur. Nuk është koha për të kërkuar përforcime”, tha Moratti. I pyetur për të ardhmen e Benitezit, Moratti tha: “Për momentin nuk dua të flas më tepër për Benitezin”.

Benitez kishte vështirësi për të nxjerrë rezultate pozitive me një ekip të goditur nga lëndimet, prej kur zëvendësoi Jose Mourinhon në prag të këtij sezoni. Fitoret ndaj kampionit të Azisë, Seongham nga Koreja e Jugut të mërkurën dhe skuadrës nga Kongo, Mazembe, të dyja me rezultate 3-0, i dhanë Benitezit rezultatet që iu deshën për t’iu kundërpërgjigjur kritikave të vazhdueshme për rezultatet e kaluara të ekipit.

“Dua të kem përkrahje nga klubi dhe futbollistët. Jam profesionist, i cili ka punuar (në futboll) për 25 vjet, andaj dua respekt dhe përkrahje”, vazhdoi Benitez. Spanjolli tha se Inter nuk kishte shpenzuar aspak në përforcimin e ekipit këtë sezon, edhe pse kishte kërkuar për tre ose katër futbollistë të rinj.

“Konkurrenca mes futbollistëve do të jetë pozitive. Është e qartë se ky ekip i ka të gjithë faktorët e rrezikut. Kemi 15 futbollistë me mbi 30 vjet”, përfundoi Benitez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›