E Diel, 1 Nëntor 2026

Unaza e Shkozetit te legalizuarit njoftohen per prishje

Zgjerimi i unazës së Shkozetit ka bërë që shumë ndërtesa të ngritura anës rrugës të shemben për t’i hapur rrugë këtij investimi. Një pjesë e këtyre ndërtimeve kanë qenë në tokë shtetërore, një pjesë tjetër kanë përfituar nga ligji i legalizimit, madje shumë pronarë të këtyre shtëpive kanë paguar edhe detyrimet për legalizimin e tyre.

Pavarësisht këtyre, pronarët janë njoftuar se shtëpitë do t’u shemben njëlloj si të tjerat. Banorët ngrejnë shqetësimin se nuk kanë një vend për t’u strehuar, madje nuk iu është thënë asgjë për një shpronësimim të mundshëm.

“Shtëpia ime është matur dy herë, është fotografuar. Unë qëndroj në shtëpi me 2 fëmijët e mi të martuar, që kanë 4 fëmijë. Nuk kam ku të shkoj. Shtëpia ime është e legalizuar me dokumenta, me të gjitha”, thotë një banor.

“Ne i kemi paguar gjithë detyrimet që kishim për shtëpitë. Kemi paguar 1.3 milionë lekë në dorë dhe 1.6 milionë lekë letra me vlerë”, thotë një tjetër banor.

Ky investim parashikon rikonstruksionin dhe ndërtimin e 7 km rrugë, 2 prej të cilave kanë përfunduar tashmë në drejtimin Ura e Dajlanit-Nish Tulla. Faza e dytë e punimeve përfshin trasenë e trupit të rrugës të bypass-it të Shkozetit me gjatësi 5 kilometër dhe gjerësi 35.5 metër, me brez të gjelbër ndarës, trotuare si dhe rrugë paralele shërbimi në të dy anët. Në këtë segment përfshihet edhe ndërtimi i katër rreth rrotullimeve të reja bashkë me nënkalimin hekurudhor të Shkozetit.

Aleks Kalemasi                            

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›