Rritja e aksidenteve, Avokati i Popullit thirrje Drejtorisë së Rrugëve
Avokati i Popullit i kërkon Drejtorisë së Rrugëve të marrë masa për një nga akset më të rëndësishme të vendit Durrës-Kukës-Morin. Në një rekomandim drejtuar Drejtorit të Përgjithshme të Rrugëve Andi Toma, avokatja Florina Nuni rekomandon tre detyra këtij institucioni.
Sipas Avokatiti të Popullit rekomandohet të bllokhet dhe mbyllen hyrje - daljet e paligjshme në afro 40 pika të evidentuara përgjatë segmentit rrugor kombëtar Milot - Kukës - Morinë dhe të plotësohen me të gjitha detajet sinjalistikën rrugore të trafikut për këtë segment i cili kalon në territorin e Qarkut Kukës.
Kjo me qëllim përmirësimin e kushteve të qarkullimit dhe sigurisë rrugore, zvogëlimin dhe parandalimin e aksidenteve në rrugët tona. Një tjetër pikë është përgatitja e projekteve inxhinjerike dhe hartimin e planeve të trafikut, të bashkëpunohet me autoritete vendore, të merren parasysh nevojat reale për sigurinë rrugore në tërë teritorin e vendit. Si dhe pika e tretë e rekomandimit është “Të përshpejtohet ritmi i punëve për riparimin e pjesëve të dëmtuara të segmentit rrugor Milot - Kukës, e në vijim në aksin kombëtar deri në kufij.
Kjo thirrje e Avokatit të Popullit vjen pas një vëzhgimi që është bërë në këtë aks rrugor, i cili ka një bilanc të frikshëm të aksidenteve të ndodhura vitet e fundit ku numërohen një numër i madh të aksidentuarish me vdekje. Por sa do të merret ky rekomandim parasysh këtë do e shohim në ditët në vijim.