E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Unë recituesi i Kushtetutës, në krah të Tano Banushit”

09/02/2005  Sandër Ruçi, aktori i estradës së Shkodrës, i bënë skanerin humorit

SHKODËR - Sandër Ruçi, është ndër figurat më të spikatura në fushën e humorit kohët e fundit, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në skenën kryeqytetase. Ai është jo vetëm aktor humori, por ka debutuar me sukses në shumë zhanre si ato të konferencierit, parodistit, recituesit, pantonimistit, këngëtarit, valltarit, regjisorit, producentit, menaxherit, monologistit, imituesit. Në fondin e RTSH-së gjenden mbi 40 role. Dje ai ka folur për të kaluarën, të tashmen e të ardhmen, jo vetëm të tij, por dhe të humorit të mirënjohur shkodran.

Mund të na thoni se kur ka qenë kontakti i parë me skenën?

Një ditë pranvere në vitin 1976 me Estratën profesioniste, luajta rolin e doktorit përkrah të madhit Tano Banushi, si edhe kam luajtur rolin e konferencierit, duke recituar nenet e Kushtetutës. Ishte një përzierje e humorit me nenet e Kushtetutës dhe ndërkohë luaja në skenë me humoristët e mëdhenj të Shkodrës.

Cilat janë episodet më interesante të karrierës suaj?

Mund të përmendja debutimin e parë e të mbaroja me shoun e fundit, duke ndërfutur shfaqjen e parë private në Shqipëri, siç ishte “Serenata Shou”, “Sandër Ruci Shou” që u zhvilluan në Tiranë, turneun në SHBA, Kanada, Angli, Itali, premierën “Alternativë” me amatorët më të shquar të qytetit, 3 vitet e emisionit radiofonik “100 fjalë për një pare”, bashkëpunimet e fundit në rang kombëtar me TVSH, TV Klan, Vizion +, TV Koha.

Përse po humbasin përditë emra dhe talente nga trupat e estradave të ndryshme të vendit tonë?

Aktorët e Estradës profesioniste janë mësuar ta kenë libretin e gatshëm, autorin e tyre. Në një farë mënyre e kanë pasur mendjen e fjetur mbi këtë problem, pra nuk kanë menduar për këtë ditë. Sipas meje, kjo duhet të jetë arsyeja, pra me ikjen e autorit nga Estrada aktori ka mbetur si peshku pa ujë. Unë jam detyruar të krijoj vetë, ta vë në skenë vetë dhe ta interpretoj po vetë. Veti këto që nuk janë mësuar në ndonjë shkollë arti, por në shkollën e madhe të Tano Banushit, Paulin Prekës, Bik Pepës, Zyliha Milotit, Jolanda Shalës, Hasan Smajës, Zef Dedës.

Si shpjegohet që Estrada profesioniste e Shkodrës nuk është në ato nivele që jemi mësuar ta shohim?

I mungon fytyra dhe menaxhimi i vërtetë i teatrit. Në Shkodër shumë talente, ose janë djegur, ose kanë ikur, ose janë shpërfillur, por kjo nuk tregon se Shkodrës i mungojnë talentet.

Cilat janë planet për të ardhmen?

Kam menduar të bëj një tip shfaqjeje, ku do të qëndroj rreth 1 orë e 20 minuta i vetëm në skenë, ku do të përdoren të gjithë zhanret bashkëkohore të varietesë që nga imitimi, veglat muzikore, etydi, fjala artistike, kënga, monologu, tragjikomedia etj. Më pas kam dhe plane të tjera që kanë nevojë për përkrahje materiale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›