E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Union Bank" përuron degën e 31-të në Tiranë

"Union Bank" dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), festuan dje përvjetorin e parë të bashkëpunimit midis tyre. Ky festim u zhvillua në ambientet e degës më të re të "Union Bank", degës së 31-të në rang kombëtar dhe të 13-të në qytetin e Tiranës, me vendndodhje pranë Gardës së Republikës.

Në këtë ceremoni morën pjesë Peter Reiniger, drejtor i Grupit të Biznesit për Ballkanin Perëndimor dhe Europën Qendrore në BERZH, përfaqësues të lartë së Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe të ftuar të tjerë të rëndësishëm nga grupet e interesit. Në fjalën përshëndetëse, Edmond Leka, Kryetar i Bordit Drejtues të "Union Bank", theksoi se "Union Bank ka arritur që gjatë kësaj periudhe të vendosë një prezencë domethënëse në treg, me 31 degë në të gjithë vendin, me një vizion të qartë dhe të përcaktuar dhe me një portofol produktesh të reja dhe konkurruese, për klientët tanë, duke treguar se është një organizëm i konsoliduar financiar, lehtësisht i prekshëm nga çdo qytetar, biznes apo institucion në vend dhe duke ofruar çdo ditë e më shumë te klientët një nivel të lartë shërbimesh". Bashkëpunimi i "Union Bank" me EBRD (BERZH) u konkretizua në vitin 2008, vit kur Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim u bë aksioner i "Union Bank" me një paketë aksionesh prej 12.5%. BERZH është një Institucion Ndërkombëtar Financiar i cili mbështet projekte në 29 vende nga Europa Qendrore e deri në Azinë Qendrore. BERZH është në Shqipëri që prej vitit 1992, si investitori më i madh institucional dhe ka investuar më shumë se 450 milionë euro në një numër të madh sektorësh. Blerja e paketës së aksioneve të "Union Bank" prej BERZH, nuk është thjesht një investim që do të forcojë "Union Bank", por një veprim i cili do të ketë ndikim pozitiv në sektorin financiar të vendit duke forcuar konkurrencën dhe duke vendosur standarde të larta të qeverisjes korporative dhe administrimit të biznesit. Me hapjen e degës së 31-të brenda një periudhe të shkurtër kohore, "Union Bank" dëshmon se është e udhëhequr nga një strategji e suksesshme dhe se ka potenciale të fuqishme si financiare ashtu dhe njerëzore. "Union Bank" u themelua në vitin 2005 me kapital plotësisht shqiptar, me aksioner kryesor njërin prej institucioneve më të suksesshme të sistemit financiar shqiptar - Unioni Financiar Tiranë, përfaqësues i "Western Union" për Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë. "Union Bank" është banka e vetme në Shqipëri që brenda një kohe të shkurtër ka arritur të shtrihet dhe zhvillojë aktivitetin e saj në një rrjet prej 31 degësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›