E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jugu përballë projekteve dhe demagogjisë



Jugu duket se do të vazhdojë të jetë prioriteti politik dhe ekonomik i qeverisë së Kryeministrit Berisha jo vetëm në këtë pjesë të mbetur të mandatit aktual të qeverisjes. Kryeministri ka paralajmëruar dje nga Berati vazhdimin e projekteve të investimeve dhe zhvillimit në Jug, duke i bërë një sfidë reale më shumë se politike opozitës. Po e trajtoj këtë aspekt si një sfidë të veçantë, pasi Jugu është trajtuar nga opozita shpeshherë padrejtësisht si bastion politik i së majtës historike shqiptare, vërtetësia e së cilës vlen për t’u verifikuar. Duhet pranuar që demagogjia e majtë shumë herë ia ka dalë të manipulojë zhvillimet politike në Jug të Shqipërisë, por në të gjitha rastet kostoja ka qenë e madhe dhe sigurisht në shpinën e qytetarëve të thjeshtë, viktimat e deritanishme të demagogjisë dhe mashtrimit politiko-elektoral. Kryeministri ka hedhur dorashkën në një sfidë reale midis projekteve të zhvillimit që ai ofron si alternativën e vetme politike përballë kundërshtarëve të tij demagogjikë. Për ta konkretizuar problemin na duhet të zbresim në “fushë-betejë” për të parë në terren përballjen reale të dy alternativave politike që përmendëm më lart. E majta ka mundur të injektoje në opinionin publik, sidomos në Tiranë, idenë se ka monopolin politik mbi Jugun e shoqërisë, gjë që shpeshherë bëhet bazë e spekulimeve dhe kalkulimeve politike e elektorale. Nuk duhet mohuar fakti që shpeshherë kjo ide ka triumfuar madje me kosto katastrofale siç ishin zhvillimet e vitit 1997. Mirëpo tani, pas afro 20 vjet pas përmbysjes së diktaturës komuniste, realiteti në Jug ka ndërruar tërësisht. Banorët e Jugut, inteligjentë nga natyra, nuk mund të mbeten përjetësisht viktima të demagogjisë politike. Përballë tyre sot janë dy realitete, kontrasti i të cilave mundëson pa dyshim një orientim të lehtë politik e elektoral të banorëve të Jugut. Për tetë vite të qeverisjes socialiste “bastioni” Jug përjetoi një keqqeverisje të evidentueshme. Mungesa e rendit dhe qetësisë publike e shoqëruar me infrastrukturën e shkatërruar e transformoi Jugun në një zonë të braktisur dhe terren të destinuar vetëm për trafiqe e veprimtari të tjera kriminale. Emigracioni masiv i banorëve, e vetmja alternativë jetese, ka sjellë shkretimin e qindra qendrave të banuara, ndërkohë që mungesa e infrastrukturës ka minimizuar çdo mundësi të zhvillimit ekonomik në një zonë ku burimet ekonomike janë të admirueshme. Duket qartë se “dashuria” e së majtës për Jugun aktivizohet vetëm në retorikën e fushatave elektorale, duke u kthyer në pikënisje sa herë që përfundojnë zgjedhjet. Duket se kjo situatë ka bërë që edhe nostalgjitë që politikanët e majtë mundohen të shfrytëzojnë për përfitime politike, si p.sh. festat partizane, të humbasin edhe vlerën politike të tyre.

Ndërkohë që një realitet tjetër i ofrohet Jugut nga qeverisja e djathtë, realitet që më shumë se kushdo e ndiejnë banorët e atjeshëm. Në të kundërtën e realitetit të para 2005-s, efektet e këtij të tanishmit nuk ndihen shumë tek ne në Tiranë, pasi nuk duket se kanë si synim propagandën dhe demagogjinë, por prosperitetin real. I gjithë Jugu është aktualisht një kantier gjigand ndërtimi falë projekteve dhe investimeve të qeverisë. Punohet ngado: në Fier, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë etj. Rrugët janë pa dyshim pjesa më e dukshme, por edhe më e efektshme e projekteve të ndryshimit të premtuar nga qeveria, por ka edhe shumë të tjera. Ato janë atje dhe mund të preken e të shihen nga të gjithë, si prova bardhë e zi midis dy realiteteve. Janë pikërisht projektet e përfunduara apo të nisura gjatë këtij mandati të z. Berisha që përbëjnë garancinë për projektet e reja e njëherazi edhe si mundësi e pakonkurrueshme për mandatin tjetër. Ka shumë argumente që mund të përdoren për të kuptuar më mirë ndryshimin, por mendoj se më i rëndësishmi, sidomos për banorët e Jugut, mbetet mundësia që kanë në dispozicion për të bërë dallimin, njëherazi edhe përzgjedhjen, sipas modeleve qeverisëse që alternativat politike u kanë ofruar atyre gjatë qeverisjeve respektive.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›