Universitet shqiptare, në shtator testohen për cilësinë
Akreditimi i universiteteve, në shtator një kompani amerikane vjen në Shqipëri për të parë cilësinë e tyre
Një kompani amerikane e vlerësimit të cilësisë të Institucioneve të Arsimit të Lartë pritet të mbërrijë në shtator në Shqipëri. Kjo nismë është ndërmarrë nga qeveria, nën kujdesin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo. Në vend numërohen 12 universitete publike dhe rreth 14 private, këto të fundit të çelura pas vitit '91, me vendosjen e demokracisë. Duke e konsideruar nismën e akreditimit të universiteteve si një ngjarje në fushën e arsimit, MASH-i parashikoi të pajtojë një kompani të vlerësimit të jashtëm të cilësisë të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të vlerësimit të jashtëm të sigurimit të cilësisë në Institucionet e Arsimit të Lartë si publik, ashtu edhe privat. "Vlerësimi do të paraqesë një renditje me pikë jo vetëm të Institucioneve të Arsimit të Lartë, por edhe të programeve te veçanta të studimit, pra për çdo diplomë". Raporti i vlerësimit të jashtëm të kompanisë amerikane do të mbështetet në raportin e vetëvlerësimit, në dokumentacionin e konsultuar, si dhe rezultatet e vizitës në vend në IAL-ve.
Fazat e vlerësimit
Vlerësimi i Jashtëm i Cilësisë në Arsimin e Lartë do të zbatohet në tri faza. Faza përgatitore përcakton se Agjencia Shqiptare e Akreditimit dhe kompania vlerësuese do të hartojnë planin kalendar dhe planin e vlerësimit. Procesi i vlerësimit të IAL-ve dhe Agjencisë Kombëtare të Akreditimit të Arsimit të Lartë do të bëhen paralelisht.
Agjencia e Akreditimit do të sigurojë informacionin e nevojshëm dhe kompania do të hartojë dhe prezantojë listën për vlerësimin institucional. Më pas grupi i ekspertëve do të verifikojë në vend të gjitha IAL-të sipas axhendës së përgatitur. Agjencia do të koordinojë dhe asistojë të gjithë procesin e verifikimit në vend dhe respektimin e programit paraprak. Faza e fundit përcakton se grupi i vlerësimit paraqet raportet individuale të vlerësimit për çdo IAL të vlerësuar dhe raportin e vlerësimit për agjencinë. Rezultatet finale do t’i paraqiten MASH-it.
Si rrjedhojë, shumë shpejt do të kemi një vlerësim ndërkombëtar të jashtëm të institucioneve kombëtare të arsimit të lartë, për sa i takon cilësisë së tyre.