E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, regjistrimet e studentëve javën tjetër

Regjistrimi i kandidatëve fitues sipas Ministrisë së Arsimit do të bëhet në fillim të javës së ardhshme, ku sekretaritë do të mbajnë dyert e hapura nga ora 08:00 deri në 16:00. 

TIRANE- Gjatë ditës së djeshme të gjitha shkollat e mesme të vendit kanë afishuar listat e studentëve fitues për në shkollat e larta sipas degëve përkatëse që kanë zgjedhur. Regjistrimi i kandidatëve fitues sipas Ministrisë së Arsimit do të bëhet në fillim të javës së ardhshme, ku sekretaritë do të mbajnë dyert e hapura nga ora 08:00 deri në 16:00. "Kandidatët fitues, pa humbur kohë të bëjnë regjistrimin e tyre paraprak në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve në datat 12, 13, 14, 15, 16, 17 dhe 18 shtator 2009, prej orës 08:00 deri në orën 18:00. Për regjistrimin paraprak kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dokumentet origjinale si: Dëftesë pjekurie origjinale dhe në mungesë, një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse. Dokument identifikimi, 2 fotografi si dhe mandatin e arkëtimit të tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh", - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë që një gjë shumë e rëndësishme është se kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit. Pas përfundimit të regjistrimit të fituesve të fazës së parë, dhe në bazë të kuotave që kanë përcaktuar fakultetet përkatëse, do të bëhet zëvendësimi i vendeve të mbetura bosh. Bazuar në fluksin e kërkesave të paraqitura nga vetë maturantët, janë akorduar më shumë kuota për Universitetin e Tiranës, i cili këtë vit do të presë më shumë se 7.000 studentë të rinj. Po ashtu, rritje e preferencave është vënë re edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›