E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, merret peng shqiptari. Pranga 2 pengmarrësve

Policia italiane thotë se për lirimin e tij rrëmbyesit i kishin kërkuar familjarëve 90 mijë euro. Më pas shuma ishte zvogëluar në 50 mijë euro. Në pranga një shqiptar 29 vjecar dhe një shtetas italian. 

RAVENA-Një shqiptar i marrë peng për rreth 24 orë është liruar nga një operacion blic i policisë italiane të Ravenas në bashkëpunim me Drejtorinë e Antimafias së Bolonjas. Agjencia italiane e lajmeve bën të ditur se shqiptari 47 vjecar ishte marrë peng të enjten në mbrëmje dhe ishte mbajtur i mbyllur në një kapanon të Porto Fuoris, në hyrje të qytetit.

Gjatë operacionit të lirimit të pengut, mbrëmjen e së premtes janë arrestuar dy rrëmbyesit, njëri prej tyre shqiptar, 29 vjec dhe tjetri me shtetësi italiane, 45 vjec nga Matera, të dy me precedentë penalë në Ravena.

ANSA shkruan se pengmarrja ishte mbajtur sekret dhe për lirimin e 47 vjecarit rrëmbyesit i kishin kërkuar familjarëve 90 mijë euro. Më pas shuma ishte zvogëluar në 50 mijë euro.

Media italiane nuk ka bërë të ditur emrin e personit të rrëmbyer si dhe të dy pengmarësve, ndërsa policia është në kërkim të personave të tjerë të implikuar. Policia e Ravenas pritet të japë detaje të pengmarrjes në një konferencë për shtyp që do të organizojë gjatë ditës së sotme.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›