E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet shqiptare lidhje online me ato europiane

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-07-2011 11:00

Universitetet shqiptare, për herë të parë do të bëhen pjesë e Rrjetit Telematik të universiteteve europiane. Ky zhvillim i ri në arsimin e lartë do të bëhet i mundur falë një projekti me vlerë prej 1.4 milionë eurosh, i akorduar nga qeveria italiane. Për t’i hapur rrugën e zbatimit në praktikë projektit, qeveria shqiptare ka nënshkruar dje me palën italiane kontratën për krijimin e Qendrës Ndëruniversitare të Shërbimeve dhe Rrjetit Telemataik, që do të lidhë të gjitha universitetet shqiptare me ato italiane dhe europiane. Marrëveshja është firmosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj dhe ambasadori italian në vendin tonë, Saba D’Elia. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për fillimin e fazës së parë të punimeve, ministri i Arsimit u shpreh se e gjithë bota akademike shqiptare do të përfitojë nga ky projekt. Ndërsa ambasadori italian në Tiranë theksoi faktin se universitetet shqiptare po transformohen sipas standardeve europiane. “Nga krijimi i Qendrës Ndëruniversitare dhe Rrjetit Telematik, shoqëria shqiptare do të ketë përfitime të shumta social-ekonomike. Akademikët shqiptarë do të kenë mundësi të shkëmbejnë idetë e tyre dhe të bëhen pjesë e librarive dixhitale në Europë”, - deklaroi D’Elia. I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili ka premtuar se, megjithëse projekti është parashikuar për universitetet publike, qeveria së bashku me miqtë italianë merr përsipër shtrirjen e tij në universitete private. Ndër të tjera, kryeministri ka theksuar se projekti do të mundësojë krijimin e librarisë dixhitale, e domosdoshme për t’u lidhur me të gjitha universitetet më të rëndësishme të Italisë dhe Europës, si dhe do të vendosë në dispozicion të gjitha sistemet dixhitale të arkivës shkencore që ekzistojnë në Europë. Projekti do të zbatohet nga Cineca, konsorciumi ndëruniversitar me seli në Bolonjë që merret me menaxhimin e qendrës së llogaritjeve elektronike, që do të angazhohet për dhënien e shërbimeve në 11 universitete publike shqiptare. Fjala është për shërbime të ngjashme me ato që Cineca jep për universitetet që bëjnë pjesë në konsorcium. Bëhet fjalë për sistemin informativ të integruar për administrimin e universiteteve dhe të enteve të kërkimeve, për administrimin e objektivave, strategjive dhe burimeve. Ky sistem merret me portalet internet, por edhe me mbajtjen e llogarive, me planifikimin e ofertës didaktike dhe me aspekte të tjera. Në vendin tonë, projekti do të drejtohet nga drejtori i Qendrës Ndëruniversitare të Shërbimeve dhe Rrjetit Telemataik, Arjan Xhelaj, i cili ka bërë të ditura edhe disa nga rezultatet e pritshme të tij, që janë: akses në rrjetet globale të leximit dhe edukimit; studime on-line mes universiteteve shqiptare dhe atyre të huaja; infrastrukturë për telemedicinë, që do të thotë lidhje dhe komunikim direkt midis universiteteve tona me ato europiane etj. Rrjeti telematik do të shtrihet në shtatë qytete të vendit, që kanë universitete dhe që më konkretisht janë: Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.

Tri fazat e projektit

1. Ndërtimi i qendrës dhe hapja e portalit për shërbimet informatike universitare dhe ato të kërkimit

2. Konceptimi dhe krijimi i rrjetit telematik për universitetet, institutet e kërkimit, agjencitë e arsimit të lartë

3. Ndërkombëtarizimi i sistemit shqiptar të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›