E Diel, 1 Nëntor 2026

Universitetet, shtyhet dy ditë afati i regjistrimeve

17/09/2009  Procedura, mbeten ende shumë vende bosh

Udhëzohen sërish sekretaritë për të vazhduar regjistrimet sipas listës së dërguar nga APRIAL

Sekretaritë e fakulteteve do të qëndrojnë edhe në fundjavë të hapura për regjistrimin e kandidatëve të shpallur fitues në fazën e parë të pranimeve në universitetet për vitin akademik 2009-2010. Nëpërmjet një shkrese zyrtare Ministria e Arsimit ka kërkuar nga fakultetet publike që të mbajnë të hapur procedurën e regjistrimeve deri në fund të javës. Kështu, të gjithë fituesit e universiteteve do të kenë afat edhe dy ditë të tjera për t’u regjistruar në degën ku ata janë shpallur paraprakisht fitues. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, të gjitha universitetet do të regjistrojnë fituesit deri në datat 19 dhe 20 shtator 2009 prej orës 8:00 deri në orën 18:00, orë në të cilën përfundon afati zyrtar i regjistrimit. Pas grumbullimit të të dhënave mbi procesin e regjistrimeve APRIAL-i do të bëjë renditjen e re të fituesve, duke larguar nga tabela e të dhënave të gjithë kandidatët që nuk u paraqiten për të konfirmuar regjistrimin. Vendet e tyre do të mbulohen nga fitues të tjerë, të cilët fillimisht do të spostohen nga preferencat më të ulëta në ato më të larta, bazuar në kuotat e mbetura bosh. Pas këtij hapi do të vijohet me zbritjen e vijës së fituesve, duke përfshirë në të edhe kandidatët që nuk bënin pjesë në listën e parë. Edhe për këtë kategori do të çelet procesi njëjavor i regjistrimit përfundimtar.

Ndryshimet

Procesi i regjistrimeve nuk është shoqëruar me fluks, pasi të dhënat paraprake të raportuara nga sekretaritë tregojnë një interes të ulët të maturantëve të shpallur fitues për konfirmimin e statusit si student. Pavarësisht këtij fakti, shumë të tjerë janë detyruar të kthehen sërish në rrethet e tyre për të tërhequr edhe një herë dokumentet që duhen për regjistrim, pasi ato që dispononin nuk janë pranuar nga fakultetet. Në këtë rast bëhet fjalë për ata fitues që gjithashtu kanë marrë një përgjigje paraprake si fitues pranë universiteteve italiane. “Theksojmë edhe një herë se kandidatët që nuk bëjn regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit”, - deklarohet nga burimet zyrtare të Ministrisë së Arsimit.

Regjistrimi

Gjithashtu drejtuesit e dikasterit të arsimit kanë bërë me dije se regjistrimi i studentëve në të gjitha universitetet do të bëhet vetëm sipas listës zyrtare të fituesve të nxjerrë nga Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL). Asnjë institucion i arsimit të lartë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këto lista, që janë të detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre. “Këto institucione të mos nxjerrin pengesa në regjistrimin e të gjithë kandidatëve fitues brenda afateve të caktuara, së bashku me dosjen e kërkuar të dokumenteve”, - vijohet nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu për regjistrimin paraprak përveç dokumenteve të tjera të bëra të njohura tashmë kandidatët që nuk kanë letërnjoftim ID ose pasaportë mund të paraqesin si dokument identifikimi edhe certifikatë lindjeje me fotografi. Për vitin akademik 2009–2010, që pritet të hapet në mes të muajit tetor, janë miratuar rreth 19702 kuota pranimi, të shpërndara këto sipas programeve studimore. Pjesa dërrmuese e këtyre kuotave i përkasin Universitetit të Tiranës, i cili shënon dhe fluksin më të madh të kërkesave për studime të larta. Ndërkohë lidhur me kuotat e parealizuara, ndonëse ende nuk është mbyllur faza e parë e regjistrimeve, janë evidentuar rreth 517 vende bosh në programe të ndryshme. Këto kuota u përkasin universiteteve të rretheve Korçë, Shkodër, Vlorë etj.

Renditja

Fakultetet udhëzohen sërish që regjistrimi i studentëve në të gjitha programet studimore do të kryhet vetëm sipas listës zyrtare të fituesve të nxjerrë nga Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL). Asnjë institucion i arsimit të lartë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në këto lista apo në renditjen e fituesve. Këto lista janë të detyrueshme për t’u zbatuar prej tyre.

Regjistrimi

Përveç shtyrjes së afatit të regjistrimit specialistët e arsimit pohojnë se për regjistrimin paraprak përveç dokumenteve të tjera të bëra të njohura kandidatët që nuk kanë letërnjoftim ID ose pasaportë mund të paraqesin si dokument identifikimi edhe certifikatë lindjeje me fotografi. Për vitin akademik 2009–2010, që pritet të hapet në mes të muajit tetor, janë miratuar rreth 19702 kuota pranimi.

Ndryshimi i degëve

Të gjithë kandidatët që janë shpallur fitues, por nuk do të figurojnë të regjistruar në asnjërën prej listave të fakulteteve deri më datën 20 shtator, nuk do të kenë shans tjetër në fazat e mëpasshme për t’u pranuar në një nga universitetet publike. E kundërta ndodh me ata që kanë fituar në preferencat e ulëta, por që me krijimin e vendeve bosh u krijohet mundësia të ngjiten në një më të lartë. “Nëse një maturant gjatë fazës së parë ka fituar në preferencën e pestë dhe pas rishpërndarjes së re (në të cilën është bërë plotësimi i kuotave të mbetura bosh nga regjistrimet paraprake) rezulton të jetë fitues në preferencën e tretë, më parë duhet të bëjë çregjistrimin në degën ku është regjistruar në fazën e parë, për t’u regjistruar te preferenca më e lartë”, - thuhet në udhëzim.

Vlefshmëria e diplomave për programet 4-vjeçare

Kule: Diplomat janë në përputhje me ligjin e arsimit të lartë

Shqetësimi i ngritur nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë, por dhe atij Ekonomik në lidhje me vlefshmërinë e diplomave do të marrë zgjidhje përfundimtare brenda pak ditësh, kohë në të cilën do të ketë përfunduar dhe regjistrimi i diplomave. Lajmi është konfirmuar gjatë ditës së djeshme nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka pohuar se lëshimi i këtyre diplomave është brenda parametrave që përcakton ligji i arsimit të lartë në fuqi. Megjithatë, shqetësimi i ngritur nga studentët e Drejtësisë, të cilët pasi ishin regjistruar për konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës u njoftuan se diplomat e tyre nuk kishin kreditet e mjaftuara, ende nuk ka marrë zgjidhje, teksa duhen edhe 4 ditë nga zhvillimi i provimit të pranimit. Megjithatë, rektori Kule ka pohuar se diplomat e lëshuara për 1500 studentët e këtij fakulteti janë të vlefshme, ashtu si dhe diplomat e lëshuara për të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet në një program katërvjeçar. “Po ta shohësh nga pikëpamja ligjore, diplomat 3-vjeçare nuk kanë bazë ligjore. Diplomat 4-vjeçare janë qartazi të ligjshme. Meqenëse ka pasur një problem diskutimi për përmbajtjen, e cila kam mendimin se tashmë është e konfirmuar në themelet e veta, madje ka pasur dhe një prononcim të ish-ministrit të Drejtësisë, ku qartazi thekson se ligji e ka të qartë se çfarë diplomash janë ato, duke qenë se është bërë ky proces diskutimi, e cila gjithashtu ka shkuar për regjistrim, dhe këto diploma do të regjistrohen dhe do të marrin atë që ua jep ligji”, - ka deklaruar Kule. Ndërkohë në një udhëzim të nxjerrë nga Ministria e Arsimit është pohuar se vetë institucionet e arsimit të lartë do të çelin studimet njëvjeçare për studentët që kanë mbaruar ciklin katërvjeçar (diplomë me 240 kredite). Gjithashtu lidhur me cilësinë akademike që ofrojnë universitete në vend pak ditë më parë është konfirmuar dhe Agjencia e Akreditimit të Universiteteve, së cilës i është dërguar shkresa përkatëse për nisjen e akreditimit të Universitetit të Tiranës e më pas të gjitha të tjerave. “Akreditimi do të nisë patjetër, do të verifikohen në mënyrë komplekse të gjitha elementet që kanë të bëjnë me shkollën. Shihet cilësia e mësimdhënies, tekstet që përdoren, niveli i studenteve, infrastruktura”, - ka përfunduar rektori Kule.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›