E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti Epoka konferencë mbi Sfidat e Inxhinierisë

Qëllimi i kësaj konference, organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Universitetin Politeknik dhe Universitetin e Gaziantepit në Turqi, ishte ndërlidhja e eksperiencave të akademikëve nga vende të ndryshme, shkencëtarëve si dhe profesionistëve që vijnë nga fusha e Inxhinierisë së Ndërtimit.

Gjatë dy ditëve të Konferencës, rektorë, akademikë, ekspertë të Ndërtimit dhe krerë të kompanive më të mëdha në vend dhe Rajon diskutuan mbi problemet që hasen sot në këtë industri. Konferenca pati sukses veçanërisht në përfshirjen e Shqipërisë në hartën e kontribuesve për shkencën botërore si dhe sjelljen në Shqipëri të shkencëtarëve më në zë të Ndërtimit.

Punimet shkencore në konferencë u recensuan në nivel shkencor dhe do të publikohen në revista të klasit botëror. Kreu i Komitetit Organizativ të Konferencës, njëherazi edhe Shefi i Departamentit të Inxhinerisë së Ndërtimit në Universitetin Epoka, Assoc. Prof. Dr. Mehmet Ardıçlıoğlu, u shpreh për gazetën se kishte mbetur i ngazëllyer nga suksesi i saj.

“Jam i lumtur që pata kënaqësinë të ndaja përvojën me mbi 100 akademikë të shquar nga 15 vende të botës, kolegë dhe studentë. Kjo konferencë shërbeu për të njohur më mirë problemet e industrisë së Ndërtimit dhe për të shkëmbyer njohuritë tona në këtë aspekt.” “Ajo që u vu në pah nga të gjithë pjesëmarrësit ishte kontributi shkencor i të gjithë punimeve. Ne, si akademikë të Universitetit Epoka, premtojmë që do të vijojmë të japim kontributet tona në kërkimin shkencor dhe kontributet për shoqërinë”, u shpreh profesor Ardıçlıoğlu.

Universiteti Epoka, që këtë vit është bërë strehë e 4 konferencave ndërkombëtare, është kthyer në një vatër të dijes dhe përçues të vlerave kombëtare. Ky Universitet synon që në një të ardhme të afërt të jetë një zë prestigjioz i botës akademike në Rajon edhe më gjerë. “Konferenca Ndërkombëtare Mbi Sfidat e Inxhinerisë së Ndërtimit” u mbështet financiarisht nga Albtelecom, Eagle Mobile, BKT dhe Devoll Hydropower. /Start/

                                                                                             2011-05-21 09:36
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›