E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti Politeknik; 40 pedagogë të rinj, aplikimi nis së shpejti



“Universiteti Politeknik i Tiranës do të punësojë 40 pedagogë të rinj”, - u shpreh dje rektori i këtij institucioni, Jorgo Kacani, sipas të cilit, kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për staf akademik do të publikohen së shpejti.

"Nevojat më të mëdha për pedagogë të rinj ndihen në lëndët e Teknologjisë së Informacionit, sepse pikërisht atje është shtuar numri i kuotave në krahasim me vitin e kaluar", - tha Kacani. Por, në mënyrë që shtimi i numrit të studentëve që pranohen të mos shoqërohet me mangësi në mësimdhënie, Universiteti Politeknik ka vendosur të kërkojë punësimin e 40 pedagogëve. Një masë tjetër e marrë është sistemimi i sallave të laboratorëve dhe të auditorëve, që kuotat e sivjetme të përballohen me sukses.

Më shumë pedagogë do të punësohen në Universitetin e Tiranës, ku do të përzgjidhen 160 kandidatë. Aplikimet e kandidatëve për pedagogë me kohë të plotë pranë këtij universiteti do të nisin më 11 gusht dhe do të vijojnë deri në fund të këtij muaji. Përmes një vendimi të qeverisë, pritet të punësohen 400 pedagogë në universitetet publike të vendit. Sipas rektorëve, sivjet do të pranohen 20 mijë studentë të rinj në rang kombëtar.

Kthimi i emigrantëve

Radhë të gjata në Kakavijë, 6 mijë emigrantë në 15 orë

Fluksi i emigrantëve shqiptarë që vijnë për të pushuar pranë të afërmve të tyre ka vijuar edhe gjatë ditës së mërkurë përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.

Përgjegjësi i vendkalimit kufitar të Kakavijës, Elton Papa, tha se mbi 6 mijë emigrantë shqiptarë kanë hyrë përmes kësaj pike kufitare. "Gjatë 15 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj dogane mbi 6 mijë emigrantë dhe 1556 automjete”, - tha Papa, duke shtuar se “aktualisht në shërbim të emigrantëve funksionojnë pa ndërprerje gjashtë sportele”.

Ndërkohë, numri i emigrantëve shqiptarë që kthehen përmes kësaj pike doganore është ulur ndjeshëm, duke e krahasuar me një ditë më parë. Sipas përgjegjësit të pikës kufitare të Kakavijës, në drejtim të shtetit fqinj kanë dalë 1300 shtetas shqiptarë, si dhe 200 automjete. Në qarkun e Gjirokastrës funksionojnë dy pika kufitare, ajo e Kakavijës (Gjirokastër) dhe Tre Urat.

Morinë, dyfishohet numri i kosovarëve që vijnë në Shqipëri

Fillimi i muajit gusht ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve kosovarë që hyjnë në Shqipëri, përmes doganës së Qafë-Morinës në rrethin e Tropojës. Drejtori i policisë kufitare të qarkut, Ylber Zyberi, tha dje se "vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj dogane 850 kosovarë me 211 mjete ose dy herë më shumë në krahasim me ditët e fundit të korrikut kur hynin gjatë 24 orëve rreth 400 shtetas kosovarë".

Për të përballuar fluksin e të ardhurve, të cilët u drejtohen plazheve shqiptare në këto ditë të nxehta, në këtë pikë të kalimit kufitar këtë vit funksionojnë pa ndërprerje 3 sportele.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe stabilizimi i rendit në këtë rajon ka bërë që thuajse të gjithë banorët e Kosovës veriore, si, të Gjakovës, Pejës, Junikut etj., të lëvizin përmes kësaj dogane.

Ndërkohë, është i ulët numri i shtetasve kosovarë që kthehen përmes kësaj pike doganore. Këtë e tregon edhe fakti se gjatë 24 orëve të fundit kanë dalë nga Shqipëria në drejtim të Kosovës 317 shtetas kosovarë me 128 mjete.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›