E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importet, 59.4 miliardë lekë vlera e ardhur nga Greqia



Shkëmbimet tregtare me Greqinë gjatë njëmbëdhjetë muajve të vitit 2008 llogariten në vlerën e 68 miliardë e 829 milionë lekëve. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave Shqiptare (INSTAT), eksportet e Shqipërisë drejt vendit fqinj arritën në rreth 9 miliardë e 397 milionë lekë, ndërsa totali i importeve nga Greqia arriti në 59 miliardë e 432 milionë lekë. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë muajit nëntor të vitit 2008 importet nga Greqia llogariten në vlerën e 5 miliardë e 151 milionë lekëve, ndërsa eksportet në vlerën 635 milionë lekëve. Referuar këtyre shifrave, Greqia vazhdon të mbetet partneri i dytë në shkëmbimet tregtare me vendin tonë, mbas Italisë, që zë vendin e parë. Eksporti me Greqinë llogaritet në 7 për qind të totalit të eksporteve dhe importi në 13.2 për qind të totalit. Vendin kryesor në mallrat e importuara nga shteti fqinj e zënë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike. Importi i kësaj kategorie arriti për njëmbëdhjetëmujorin e këtij viti vlerën e mbi 24 miliardë e 619 milionë lekëve. Ndërsa në vlerën e mallrave të eksportuar drejt shtetit fqinj, vendin kryesor e zë grupi "tekstile dhe këpucë". Eksporti i kësaj kategorie arriti për 11-mujorin vlerën e 3 miliardë e 587 milionë lekëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›