E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Vlorës sot gara për zgjedhjen e rektorit të ri

VLORE- Në universitetin e Vlorës "Ismail Qemali", sot zhvillohet gara për zgjedhjen e rektorit të ri, pas vendit të lënë bosh nga Tanush Shaska. Në garë për këtë post janë katër emra profesorësh mjaft të njohur në universitetin e Vlorës, të cilët kanë shpalosur edhe platformat e tyre. Kështu për postin e rektorit kanë shpallur kandidaturën Albert Qari, Vladimir Kasëmi, Aleks Trusha dhe Engjëll Liçaj. Duket se tre prej kandidatëve kanë preferuar të jenë më të ekuilibruar në angazhimet e tyre, nëse e fitojnë këtë post, dhe vetëm njëri prej tyre, profesor Albert Qari ka shpalosur një platformë që bie ndesh edhe me politikën që ka ndjekur deri më tashi Universiteti i Vlorës. Qari ka deklaruar se do të heqë kalkuluesin nga degët me profil shoqëror, ndërsa ajo do të jetë lëndë fakultative tek Infermieria, ndërkohë që aktualisht kjo lëndë është e detyrueshme në të gjitha degët e Universitetit të Vlorës. Tri kandidaturat e tjera për postin e rektorit të UV-së kanë zgjedhur të mbajnë një qëndrim neutral, nga frika se mos dalja hapur kundër politikës që është aplikuar deri më tani mund t'u kushtojë disa vota më pak. Gjithsesi gara do të zhvillohet gjatë ditës së sotme, dhe fituesi do të mësohet vetëm gjatë ditës së nesërme, kur të ketë përfunduar edhe numërimi i votave. Posti i rektorit në Universitetin e Vlorës mbeti bosh gati dy muaj më parë, kur Tanush Shaska, i cili e drejtoi këtë universitet mes polemikave të shumta për tri vite me radhë, dha dorëheqjen, pas një shkresë të MASH-it, ku aktivitetet shkencore jashtë universitetit për të gjithë drejtuesit e Institucioneve të arsimit të lartë, duhej që më parë të miratoheshin nga ministri i Arsimit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›