Urdhrat e tij dhe dhuna e policisë i dëmtuan syrin 28 vjeçarit Erjon Vishkulli, Rama ‘mallkon’ protestuesit dhe mediat: Ju jeni errësira që ia mbylli atij djali dritën e syrit!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen e shënuar gjatë protestës mbrëmë, ku Erjon Vishkulli u dëmtua rëndë në sy për shkak se policia e qëlloi me plumb gome.

Në një reagim në rrjetin social X, kryeministri thekson se plagosja e të riut nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, ndërsa e gjen fajin tek mediat, që ai i cilëson si nxitëset e dhunës.
“Lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur”, shkruan Rama.
Ai thotë se është interesuar vetë personalisht për kurimin e të riut dhe për ta dërguar atë drejt Italisë për mjekim më të specializuar.
Pavarësisht dhunës policore, kryeministri sulmon edhe ata që sipas tij, po e keqpërdorin plagosjen e të riut në sy për të nxitur më shumë dhunën.
“Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën: Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit! Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!”, shton ai.
REAGIMI I PLOTE:
Pjesëmarrja në protestat e dhunshme është sigurisht e rrezikshme edhe për vetë dhunuesit dhe ata që rrinë rrotull tyre, aq më tepër kur dihet tanimë edhe botërisht që në këto protesta është edhe dora e një matufi maniak me një biografi të pasur me zjarrvënie e me gjakderdhje
Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!
Kjo është një pyetje retorike dhe lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë, po mbi të gjitha për nxitësit e dhunës që propagandojnë nga ekranet e korruptuara televizive dhe nga pasqyrat e tyre sociale apo më zi akoma që paguajnë për mish për top lloj-lloj individësh, nga kriminelë, te djem të paditur e deri te fëmijë të mitur
Pasi jam marrë personalisht që mbrëmë me sigurimin e kurimit të djalit në spitalin më të mirë të Italisë, si edhe të transportit me një avion charter mjekësor, u them të gjithë atyre që po e keqpërdorin si të tërbuar syrin e plagosur të tij për të nxitur më tej dhunën:
Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!
Ju jeni gishtat dhe thonjtë e dorës së malkimit që e përndjek Shqipërinë qysh në 1912-ën, duke ia mbyllur sytë sa herë ky vend sheh dritë!
Po këtë herë jeni të humbur, sepse drita e Shqipërisë është sot ku e ku më e madhe se sa errësira dhe ju jeni gjithnjë e më pak, prandaj edhe po dhunoni, digjni e shkatërroni me urrejtjen e pangushëllueshme të asaj dore, por duke ua kujtuar më mirë se kurrë shqiptarëve se kush jeni.
Dhe shqiptarët s’do t’ua falin. Prisni dhe shikoni