E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Pleqtë, shërbim falas

Tiranë -Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka deklaruar sot se shërbimi shëndetësor për moshën e tretë do të jetë falas, me fitoren e LSI-së, në zgjedhje. Meta ka zhvilluar sot një takim në farmacitë e Tiranës, ku edhe ka takuar pleq të rastësishëm. “Unë jam sot këtu në një nga farmacitë e kryeqytetit pikërisht, sepse jemi të ndërgjegjshëm për shqetësimet që kanë qytetarët e sidomos individët e moshës së tretë, për sa i takon rimbursimit të medikamenteve mjekësore të cilat kanë disa probleme, kanë një problem të gamës së rimbusimit të këtyre medikamenteve e cila është e kufizuar, dhe për fat të keq shpeshherë ilaçet e domosdoshme të cilat janë më të shtrenjta nuk përfshihen në listën e rimbursimit për arsye të kostos. Dhe së dyti problemi i cilësisë dhe i sigurisë, dhe efekti i këtyre medikamenteve për shëndetin e shqiptarëve sidomos të moshës së tretë. Në këtë drejtim ne jemi të angazhuar edhe përmes Projektligjit për moshën e tretë që është bërë publik, dhe që është një angazhim për t’u miratuar në parlamentin e ardhshëm pasi për fat të keq parlamenti që po mbyllet nuk e aprovoi”-theksoi Meta.

Ai u angazhua që pas fitores së LSI shërbimi shëndetësor për moshën e tretë do të jetë krejtësisht pa pagesë dhe së dyti do të bëhet rimbursim i plotë i të gjitha medikamenteve që janë të nevojshme për shëndetin e çdo individi të moshës së tretë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›