E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vëmendje arsimit

Tiranë -Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot paradite, një vizitë në komunën e Kasharit, gjatë së cilës inauguroi përfundimin e dy shkollave të reja, shkollës së re 9-vjeçare në fshatin Kashar Qendër dhe shkollën e mesme “Sadik Stavaleci” në fshatin Katund i Ri, të komunës Kashar. Ndërtimi i dy shkollave të reja u realizua nga buxheti i shtetit, me një investim me vlerë rreth 1.7 milion euro. Dy shkollat e reja, me rreth 1700 nxënës, janë të pajisura me mjedise moderne të mësimdhënies, me laboratorë të ndryshëm mësimorë, kabinete informatike, palestër dhe terrene sportive.

Berisha tha në 4 vjet, arsimi ka pësuar një transformim rrënjësor, në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve, janë ndërtuar të reja ose rindërtuar 1012 shkolla, më shumë se gjysma e shkollave të vendit dhe premtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme, do të ndërtohen ose rindërtohen të gjitha shkollat që kanë mbetur. “Fëmijët shqiptarë, - tha Kryeministri - do të mësojnë në shkolla moderne evropiane.”

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për rezultatet e publikuara nga studimi më i fundit mbi varfërinë, sipas të cilit, brenda viteve 2005-2008, varfëria në vend është ulur nga 18 përqind në 12 përqind.

“Kjo qeveri ia doli të nxjerrë nga skamja e varfëria, para së gjithash, duke rritur pagat e pensionet dhe duke krijuar vende të reja pune, jo 10-20 apo 60 mijë, por 200 mijë shqiptarë. Unë ju garantoj se me këto investime që kemi bërë, në 4 vitet që vijnë, jo 200 mijë, por, do t’i nxjerrim nga varfëria, së paku, edhe 300 mijë që kanë mbetur,” u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›