E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ushqimi për të sëmurët mendorë, i pamjaftueshëm"

Kuotat ushqimore të të sëmurëve vijojnë të mbeten në nivele minimale dhe nuk ishin rishikuar në përputhje me çmimet e reja të tregut ushqimor. Dobjani paralajmëron institucionet shtetërore se për këtë qëllim kjo çështje duhej analizuar dhe zgjidhur sa më shpejt për të përmirësuar ushqimin dhe llojshmërinë e tij në dobi të pacientëve. Mjekimi dhe ilaçet për të sëmurët, sipas Dobjanit, kishin mangësi të dukshme si në cilësi, larmi, ashtu dhe në furnizim. Mjekët në mjaft raste u ankuan se procedurat e tejzgjatura të tenderimit dhe blerjes së ilaçeve nga Ministria e Shëndetësisë kanë shkaktuar probleme serioze në shëndetin dhe trajtimin me mjekim të të sëmurëve. Krahas kësaj, në mjaft raste të tjera porositë për ilaçe specifike nuk merren në konsideratë, megjithëse ato janë më të lira dhe kanë efekt më të mirë se sa ato që vijnë nga furnizimi. "Në këto kushte, lind nevoja që procedurat e blerjes së ilaçeve të gjejnë forma të shpejta nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, aq më shumë kur flitet për medikamente të caktuara specifike, mungesa e të cilave çon në degradim të pashmangshëm të shëndetit të të sëmurëve mendorë. Kjo gjendje duhet përmirësuar edhe në shërbimin stomatologjik të këtyre spitaleve, duke i furnizuar ato me medikamente mjekimi dhe jo vetëm me mjete për heqjen e dhëmbëve", informon Dobjani Kuvendin e Shqipërisë. Sipas tij, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, ende nuk kishte filluar të koordinonte siç duhej punën për vënien në zbatim të detyrimeve ligjore për caktimin në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të punonjësve socialë. Gjithashtu, spitalet kishin mungesa të theksuara edhe në specialitetin e psikologut. Avokati i Popullit nuk është ende në dijeni të ndonjë strategjie në fushën e shëndetit mendor, për të përthithur staf të ri mjekësor dhe të kualifikuar në këtë fushë, nisur nga nevojat që ka shërbimi psikiatrik dhe interesi i ulët që tregohet nga mjekët e rinj për punësimin në këtë shërbim. "Megjithëse ka një platformë kombëtare për mënyrën e deinstitucionalizimit të të sëmurëve, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me spitalet psikiatrike, nuk janë përpjekur seriozisht për të arritur një objektiv të tillë. Spitalet psikiatrike në shumicën e tyre shfrytëzohen në masën 70% për shërbimin azil dhe hotelerik. Kjo, pasi familjaret apo kujdestaret nuk pranojnë të rimarrin në shtëpi personat tashmë të braktisur. Gjithashtu, numri i vendosur në qendrat komunitare vijon të mbetet në shifra të ulëta në raport me nevojat e të sëmurëve", pohon Dobjani.

Ndërkohë, ambientet e ushtrimit të veprimtarive çlodhëse, argëtuese, sportive, rehabilituese nëpërmjet punës etj., janë inekzistente, ose janë të pranishme vetëm për efekte optike të përmbushjes së standardeve të kërkuara, por që faktikisht janë të pashfrytëzueshme. Në këto ambiente, nga inspektimi i kryer rezultoi se nuk kishte të përfshirë në trajtim asnjë pacient dhe nuk ishin marrë masat minimale për blerje mjetesh ndihmëse për vënien në funksionim të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›