E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët Formula e rillogaritjes së pensioneve me 1 % të pagës sipas eksperiencës për vite pune

Autori i Lajmit: Redaksia
Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar. Duke paguar 2% shtesë në kontribute, ushtarakët, policët, zjarrëfikësit, etj. përfitojnë pensione suplementare. Ligji në fuqi u jep mundësi ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës, Zjarrëfikëses, SHISH, etj. të përfitojnë pensione dhe të ardhura shtesë mbi ato që përcaktohen në ligjin “Për sigurimet shoqërore”. Për të përfituar pensione suplementare këto kategori duhet që gjatë kohës që janë aktivë në detyrë të paguajnë kontribute shtesë në masën dy për qind të pagës referuese. Duke paguar 2% të pagës, ligji do t’u mundësojë atyre të përfitojnë jo vetëm të ardhura shtesë, pension të parakohshëm, pension shtesë mbi pensionin e pleqërisë, etj por edhe në rastet kur ata nuk punojnë për shkak të paaftësisë së përkohshme në punë e shërbim, për rehabilitim shëndetësor, etj. Vjetërsia për efekt të llogaritjes së përfitimeve shtesë që do të përfitojnë do të përcaktohet sipas ligjeve që përfshijnë Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, SHISH, etj. Gjithashtu për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë. Përfitimet shtesë për ushtarakët, policët dhe kategoritë e tjera, do të llogariten në bazë të pagës referuese. Ligji parashikon që për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.

Paga referuese

Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kur funksioni ose grada, që kishte përfituesi, nuk ekziston më, ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Komandanti i Gardës, ministri i Drejtësisë dhe Drejtori i SHISH-it, me urdhër, do të bëjnë njësimin e tyre me ato funksione apo grada, që janë në fuqi në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim. Ligji parashikon që për studentët e shkollave të larta, që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët, që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës apo funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës apo funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH-it të nivelit përkatës.

Oficerët e liruar

Ushtarakët dhe policët që nxirren në rezervë apo në lirim kanë të drejtë të përfitojnë shpërblim të menjëhershëm dhe pas tij ata do të trajtohen me një pagë të përkohshme, kohëzgjatja e të cilës përcaktohet në bazë të vjetërsisë së punës. Ligji për përfitimet suplementare parashikon pagesë për të gjithë këta persona. “Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm i Forcave të Armatosura, i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, nxirren në rezervë apo lirim, marrin një shpërblim të menjëhershëm, në masën e dy pagave referuese mujore dhe pas këtij fillon trajtimi financiar me pagesë kalimtare”,- citohet në ligj.

Pensionet e parakohshme

Punonjësit që nuk paguajnë kontribute shtesë përfitojnë 50% të pagës mesatare plus 2% për çdo vit pune. Oficerët, policët, gardianët, zjarrfikësit dhe punonjësit e SHISH dhe SHKB do të fitojnë të drejtën e daljes në pension të parakohshëm nëse plotësojnë vitet e shërbimit të përcaktuar në ligji. Kështu femrat kanë të drejtë të përfitojnë pension të parakohshëm nëse kanë plotësuar 12 vite në shërbim ndërsa për meshkujt kjo periudhë është 15 vjet. Një kriter tjetër është edhe mosha, e cila për femrat është 42 vjeç dhe për meshkujt 47 vjeç. Nëse një ushtarak del në pension të parakohshëm, i cili plotëson kushtet e përfitimit atëherë do të marrë të ardhura mujore që do të jenë në masën 50 për qind të pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese. Masa e pensionit të parakohshëm, për ata persona të cilët nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin “Për sigurimet shoqërore”. Ndërsa për personat, që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga qeveria, në përputhje me këtë ligj, duke u shtuar edhe me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës. Pensioni i parakohshëm ndërpritet automatikisht në momentin që personi rikthehet në shërbim aktiv. “Kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, që nuk lidhen me funksionin e tij të mëparshëm, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993. “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”,- thuhet në ligji. Në rastet kur karriera është ndërprerë, pasi punonjësi është përjashtuar nga detyra, e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara për këtë përfitim, fillon pas 24 muajve.

Shembuj të llogaritjes së pensioneve

Shembulli 1

Kolonelët, me ligjin e 2006-ës duhet të marrin 46000 lekë, ndërkohë sigurimet japin vetëm 16000. Me draftin e ri marrin 17000, 2 pensione bazë (8600 + 8600). Pra një të tretën e ligjit të 2006-ës. Ky draft barazon gjeneralin me kapterin, nuk merr parasysh pensionet, gradat dhe kontributet e mbajtura nga shteti.

Shembull 2

Për pensionin suplementar të pleqërisë, drafti i ri ndryshon formulën e ligjit të 2006-ës. Në nenin 14 masa e pensionit suplementar të pleqërisë llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese për çdo vit shërbimi. Kjo sjell ulje të masës së përfitimit, pasi sot një ushtarak në pension, merr një pension prej 18000 lekësh. Me draftin e ri ky përfitim ulet me një të tretën, përfitimi nga 9000 lekë, shkon 3000-4000 lekë

Skema suplementare për 2010-ën

Instituti i Sigurimeve Shoqërore përveç skemës së sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe programeve të veçanta shtetërore që lidhen me zbatimin e kësaj skeme, administron edhe skemën e sigurimeve suplementare. Kjo sipas statuseve të veçanta si: sigurimet suplementare të punonjësve të lartë të shtetit; sigurimet suplementare të ushtarakëve dhe policisë së shtetit; skemën e pagesave të parakohshme të minatorëve; pagesat për punonjësit e industrisë ushtarake; pagesat për familjet e dëshmorëve, pilotëve, ushtarakëve të nëndetëseve etj. Projekti i vitit 2010 për këtë skemë parashikon një volum transfertash prej 4921 milionë lekë, me një rritje të shpenzimeve me mbi 375 milionë lekë e për pasojë edhe financimet nga buxheti janë rritur në këto nivele. Arsyeja kryesore është zbatimi i plotë i trajtimit financiar të ish ushtarakeve, policisë së shtetit, gardës së republikës etj. Ndërkohë, shpenzimet për trajtimet e tjera, përveç të drejtave të fituara, evidentojnë vetëm rritjen e nivelit të përfitimeve për shkak të indeksimeve.

Zbatimi i rillogaritjes dhe kontributet e prapambetura

Referuar ligjit aktual nr.10142 pensionet suplementare të ushtarakëve pësojnë ulje të masës së përfitimit duke qenë se hiqet klasifikimi sipas gradave. Situata ka ngecur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kundërshtimin e disa neneve të ligjit në fjalë të cilat cënojnë përfitimet e ushtarakëve. Në senacën e fundit të Kushtetueses përfaqësuesit e qeverisë kanë pohuar se me ligjin e ri qeveria ka pasur parasysh shtimin e kategorive përfituese dhe duke u zgjeruar rrethi, ulet masa e përfitimit. Në këtë situatë, të drejtat e fituara më parë, mund të kufizohen. Për ushtarakët ligji në fjalë ka sjellë zvogëlim dhe pakësim të përfitimeve si për pensionet suplementare ashtu edhe për rrogat e ndërmjetme të ushtarakëve. Ndërsa përfaqësues të Sigurimeve Shoqërore kanë argumentuar se skema e re e pensioneve, e vendosur nga ligji që po ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, synon të vendosë një pagë mesatare, e cila do të ndihmojë në kategorizimin e përfitimeve bazë.
Ndërkohë sipas të dhënave Ministria e Financave pritet të dorëzojë brenda këtij muaji projektvendimet që do të konkretizojnë ligjin mbi pensionet suplementare të ish-ushtarakëve. Burimet kanë bërë të ditur se do të jenë aktet nënligjore ato që do të vendosin rillogaritjen e pensioneve dhe masën e kontributeve që do të paguajë shteti për të liruarit nga reforma në ushtri, e nisur që prej vitit 1992. Gjithsesi, masa maksimale e përfitimit të pensionit do të jetë ajo e parashikuar në ligj dhe e llogaritur sipas eksperiencës për vite pune. Nga ana tjetër, ish-ushtarakët e dalë në pension të parakohshëm do të kenë të drejtë të kërkojnë pensionin e plotë sapo të mbushin moshën. Vendimet, që mësohet se janë përfunduar prej ekspertëve, pritet të marrin firmën e ministrit përkatës. Ndërkohë që periudha e fundvitit në të cilën ndodhemi, pritet të mos lejojë nisjen e aplikimit të pensioneve të reja. Ndërsa fondet e parashikuara për ISSH-në pritet të kalojnë për shlyerjen e borxhit të jashtëm, në rast se ato nuk do të përdoren për kategoritë e tjera të pensioneve suplementare, për të cilat nuk është parashikuar dalja me një vendim të posaçëm të qeverisë. Ekspertët sqarojnë gjithashtu se është historiku i gjatë i zhvillimeve në ushtri, ndarja me kategori të lirimit dhe situata të tjera të parashikuara në ligj që kërkon daljen me një vendim të posaçëm. Por pavarësisht se ligji është botuar në Fletoren Zyrtare prej disa muajsh, qeveria nuk ka vepruar me draftet e posaçme. Duket se kjo bëhet për të mos ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese apo dhe në rastin ekstrem kur Gjykata Kushtetuese mund të kërkojë shfuqizimin e neneve të veçanta të ligjit, gjë që më pas do të kërkojë shfuqizimin e akteve nënligjore mbi pensionet suplementare.

Llojet e përfitimeve suplementare

Personave të përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji apo familjeve të tyre u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në
Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për:
a) paaftësi të përkohshme në punë e shërbim;
b) parandalim për sëmundje;
c) rehabilitim shëndetësor;
ç) shpërblim i menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë;
d) pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi;
dh) pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë;
e) pension suplementar invaliditeti;
ë) pension suplementar familjar;
f) pension suplementar familjar, kur, për shkak të detyrës, humbasin jetën;
g) pagesa suplementare për shpenzime varrimi.

Masa e përfitimit

Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes së të drejtës për pension suplementar.

Kushtet e përfitimit

Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, të SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që përfitojnë pension pleqërie, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, gëzojnë të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie.

Pensioni suplementar invaliditeti

Pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet 1 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën mesatare referuese mujore, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit, që përfitohet sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” ose ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kur personat e sipërpërmendur bëhen invalidë në krye të detyrës apo për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit është 20 për qind e pagës referuese.

Pensionit suplementar familjar

Pensioni suplementar familjar llogaritet në bazë të pensionit suplementar mujor, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera dhe është 50 për qind për bashkëshortin/bashkëshorten e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind ose pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim. Kufiri maksimal i këtij përfitimi nuk duhet të jetë më i lartë se shuma e plotë e pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte i ndjeri/e ndjera, sipas këtij ligji.

Indeksimi

Përfitimet suplementare, sipas neneve 14, 16, 18, 20, 21 e 26 të këtij ligji, llogariten në
bazë të pagës mesatare referuese mujore në çastin e lindjes së të drejtës dhe më pas nuk janë objekt i ndonjë ndryshimi, me përjashtim të indeksimit. Ato indeksohen sa herë indeksohen edhe pensionet e caktuara sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Indeksi dhe koha e zbatimit të tij përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Përfitimet që jepen në përputhje me nenin 21 të këtij ligji vendosen në vlerën 100 për qind të pagës, sa herë që paga, sipas së cilës është llogaritur ky përfitim, ndryshon.

Përjashtimi

Nga ky ligj nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje. E drejta e përfitimeve nga ky ligj nuk parashkruhet. Personi, që kërkon përfitimet jo më
vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim.

Për vitin 2010 të ardhurat nga kontributet suplementare llogariten 200 milionë lekë dhe ndahen si më poshtë:

Kontribute nga: 200
Sigurimi shteteror suplementar 75
Sigurimi suplementar ushtarak 60
Sigurimi suplementar i policise 65

IV . SHPENZIME PER SKEMA SUPLEMENTARE 2,913,539 4,546,459 4,921,821 8.3
60600.13 Sigurime suplementare te ushtarakeve 1,873,034 3,288,555 3,325,624 1.1
60600.14 Perfitime nga statusi i deshmoreve te atdheut 26,170 66,000 66,000 0.0
60600.15 Perfitime per pilotet fluturues ne pension 48,176 60,673 85,439 40.8
60600.16 Perfitime per punonjesit e ndermarrjeve ushtarake 121,791 105,001 148,181 41.1
60600.17 Sigurime suplementare shteterore 262,307 299,002 350,657 17.3
60600.18 Perfitime per trajtimin e veçante te minatoreve 325,584 339,858 466,680 37.3
60600.19 Perfitime per detaret e nendeteseve ne pension 6,152 49,136 69,580 41.6
60600.20 Sigurime suplementare te policise se shtetit 144,398 148,234 210,160 41.8
60600.99 Pagesa te tjera ( shpenzime varimi) 105,927 190,001 199,500 5.0

Ky lajm është publikuar: 05/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›