E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zv/Presidenti i KE-së: “Debati të bëhet në Parlament”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Antonio Tajani. Kreu i Ekzekutivit e falënderoi zëvendëspresidentin Tajani dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian. Ai vlerësoi lart kontributin e jashtëzakonshëm të Komisionit Evropian në përkrahjen e reformave të ndërmarra në vend gjatë këtyre viteve, në kuadër të procesit të integrimit, si dhe kontributin për procesin e liberalizimit të vizave dhe punën voluminoze që KE po bën në hartimin e pyetësorit, që do ti paraqitet Shqipërisë për hapat e saj të mëtejshme për të marrë statusin e vendit kandidat. Nga ana e tij Tajani pohoi se Shqipëria do të ketë mbështetjen e KE-së dhe të BE-së në rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian dhe të gjitha proceset e lidhura me të, siç është liberalizimi i vizave. Në këtë kuadër ai vlerësoi se planveprimi dhe reformat e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit janë shumë të rëndësishme. Tajani vlerësoi se ligj “Antimafia”, i sapomiratuar nga qeveria shqiptare, si dhe reformat dhe përpjekjet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, krimit financiar e të çdo lloji, janë shumë të rëndësishme. Për sa i përket bojkotit të opozitës, zëvendëspresidenti Tajani theksoi se debati politik duhet të zhvillohet në Parlamentin shqiptar. Gjatë takimit, kryeministri Berisha i bëri me dije zv/presidentit të KE-së reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si heqja e licencave dhe lejeve që përbënin burim korrupsioni; thjeshtësimi i procedurave administrative dhe vendosja e procedurave dixhitale, si: 100 për qind prokurime elektronike, regjistrimi elektronik i bizneseve përmes procedurës “One Stop Shop”, E-taksa, E-dogana, reduktimi i shpenzimeve abuzive administrative , futja e procedurave “heshtja është miratim” etj. Sipas tij si rezultat i këtyre masave dhe i luftës me tolerancë zero ndaj korrupsionit, qeveria shqiptare arriti të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit me rreth 23 për qind në vit dhe të ulë shpenzimet operative nga 3 për qind në 2 për qind të GDP-së. Berisha ka pohuar se vetëm nga heqja e privilegjeve të pushtetarëve, si makina e shoferë etj, shpenzimet operative të qeverisë shkurtohen me 30 për qind. Më tej, kryeministri Berisha i bëri me dije masat e marra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e shpejtë të vendit, si ato në fushën e financave ashtu dhe ndërtimi i infrastrukturave të rëndësishme në të gjithë vendin, qoftë arterie të mëdha si Rruga e Kombit, dhe rrugët që lidhin Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit, por edhe rindërtimi dhe asfaltimi i 6 mijë kilometrave rrugë gjatë mandatit të kaluar. Ai shtoi se një ndër fushat më të suksesshme të punës së qeverisë gjatë kësaj periudhe ka qenë lufta ndaj krimit ordiner dhe të organizuar, çka bëri të mundur shkatërrimin e 206 organizatave të rrezikshme kriminale dhe sjelljen para drejtësisë të 1000 bosëve dhe anëtarëve të tyre.

Ky lajm është publikuar: 05/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›