Ushtaraku pa gjak, shoqata apel dhuruesve
TIRANE-Stina e verës me numrin e lartë të aksidenteve që po ndodhin çdo ditë, ka sjellë shterimin e rezervave të gjakut në Bankën Kombëtare të Gjakut në Spitalin Ushtarak në Tiranë, aty ku çdo ditë mbërrijnë dhjetëra raste urgjencash. Pikërisht për këtë arsye, Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut i bën apel të gjithë opinionit publik që të sensibilizohen duke dhuruar gjak. "çdo vit në verë jemi dëshmitarë të një mungese dramatike të gjakut. Rriten aksidentet rrugore dhe nuk pakësohen të sëmurët kronik, të cilët çdo muaj kanë nevojë për gjak (fëmijët talasemikë). Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut "DHVGJ", në bashkëpunim me Shoqatën e Talasemikëve dhe me grupin e Skout-ve, organizon dy aktivitete për dhurimin e gjakut: të martën më 27 korrik, nga ora 18:00 deri në orën 20:00, në plazh tek Mali i Robit, rruga Durrës-Kavajë; dhe të mërkurën, më 28 korrik 2010, nga ora 09:00 deri në 13:00, dhe nga ora 18:00 deri në 20:00, eja dhuro gjak në Poliambulancën 'At L. Monti' (IDI), fondacioni "Zonja e Këshillit të Mirë", rruga e Kavajës 120. "Përpara se të nisesh për pushime, bëj një akt dashurie e solidariteti: Dhuro Gjak", - thuhet në mesazhin sensibilizues të kësaj shoqate.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)