E Diel, 1 Nëntor 2026

Lidhte me pranga policie gruan dhe e rrihte me shkop gome

GJIROKASTëR - Në gjashtë vite martesë ka provuar tmerrin. Pas lindjes së dy vajzave, E.M. është kthyer në viktimë të bashkëshortit, i cili pasi e rrihte barbarisht me shkop gome, e lidhte me pranga dhe inskenonte vrasjen e mundshme të saj. Pas dy vitesh dhunë sistematike, gruaja ka guxuar të denoncojë në polici të shoqin xhelat. Alfred Meçani, lindur në Libohovë dhe banues në qytetin e Gjirokastrës u arrestua rreth orës 23:00 të së enjtes në banesën e tij.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, bëjnë me dije se kontradiktat në çift kanë nisur pak kohë pas martesës. Mësohet se gjatë dy viteve të fundit sherret janë bërë thuajse të përditshme, ndërsa nëna e dy fëmijëve të mitur e ka parë veten të lidhur me pranga, të keqtrajtuar fizikisht e psikologjikisht. Madje, ka provuar të qëndrojë e lidhur para burrit, i cili i tundte para syve një krehër me fishekë automatiku. E tmerruar nga skenat "live" horror, me 10 korrik të këtij muaji E.M. ka denoncuar babain e fëmijëve të saj në polici, ndërsa ka treguar se është dhunuar në vijimësi. Tri ditë më pas gjykata e Shkallës së Parë e Gjirokastrës ka lëshuar urdhrin e mbrojtjes për gruan. Me këtë urdhër është njohur menjëherë edhe bashkëshorti i saj, i cili duhet të respektonte detyrimet e parashikuara në këtë vendim. Por, 43-vjeçari Meçani nuk ka zbatuar vendimin e dhënë nga togat e zeza. Më 22 korrik, ai ka ushtruar përsëri dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ka kërkuar menjëherë ndihmën e policisë. Menjëherë uniformat blu kanë vënë në pranga autorin e krimit. Meçani akuzohet për "ushtrim dhune", "shkelje të vendimit të gjykatës" si dhe për "prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake".

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›