E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Akt historik, rikthim pranw kombeve tw qytetëruara

29/04/2009  Kryeministri Berisha dorëzon zyrtarisht në Pragë kërkesën për statusin e vendit kandidat

Kryeministri Tolopanek thotë se para Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t’u bërë

Përmes një ceremonie të veçantë kreu i qeverisë shqiptare i ka paraqitur Presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian, Mirek Topolanek, njëkohësisht kryeministër i Çekisë, vend i cili mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, kërkesën për statusin e vendit kandidat. Gjatë kësaj ceremonie shefi i ekzekutivit shqiptar ka deklaruar se ky akt mbart një domethënie historike, pasi shënon rikthimin e Shqipërisë në familjen e kombeve europiane, nga të cilat ai u nda fizikisht, por jo shpirtërisht për një periudhë kaq të gjatë kohe. “Ndihem veçanërisht i lumtur që t’i paraqes kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE kryeministrit të një vendi që vetëm 20 vjet më parë rrëzoi, ashtu si Shqipëria, perden e hekurt. Kjo është ditë e mrekullisë së lirisë që vendi juaj përfaqëson BE-së, dhe kjo është një frymëzim dhe inkurajim i madh për ne. Ky akt shënon dhe mbart një domethënie historike, pasi shënon rikthimin e vendit tim në familjen e kombeve europiane, nga të cilët ai u nda fizikisht, por jo shpirtërisht, për një periudhë kaq të gjatë kohe”, - ka deklaruar Berisha. Sipas tij, prezantimi i kërkesës bëhet pasi Shqipëria ka treguar se përfaqëson një demokraci funksionale dhe kriteret e Kopenhagës konsolidohen vazhdimisht. “Shqipëria ka një ekonomi tregu të konsoliduar, që gëzon stabilitet makroekonomik dhe vazhdon të rritet – vitin e kaluar ajo u rrit me një ritëm prej 8%. Tani Shqipëria është bërë vërtet një vend joshës për investitorët e huaj”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha. Ai ka garantuar se ky është një obligim i madh dhe e konsideron këtë si një proces që duhet dhe do të jetë plotësisht i bazuar në arritje. Nga ana e tij kryeministri Topolanek u shpreh se pranimi për dorëzimin e kërkesës nuk u mor vetëm nga presidenca çeke e BE-së, por është një nga përparësitë e saj. Sipas tij, procesi i zgjerimit ka kriteret e kushtet e veta specifike. Topolanek u shpreh se “në rast se çdo vend do të plotësojë këto kritere, atëherë ai mund të jetë pjesëmarrës i këtij procesi dhe Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe unë jam shumë i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha”. Kreu i qeverisë së Pragës ka thënë se pas dorëzimit të aplikimit do të fillojë procesi standard. “Por përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t’u bërë. Mendoj se sot Shqipëria po hyn në rrugën e saj afatmesme dhe unë besoj se ky proces do të kurorëzohet me sukses të plotë, dhe kështu ëndrra e shumë brezave që jetuan në regjimin totalitar do të bëhet realitet. Republika Çeke do të qëndrojë përkrah Shqipërisë dhe do ta ndihmojë atë edhe pas përfundimit të presidencës së BE-së”, - ka deklaruar Topolanek.

Leigh: Zgjedhjete lira e të ndershme kusht kyç

Drejtori i përgjithshëm i Zgjerimit Michael Leigh në Komisionin Europian ka deklaruar ditën e djeshme se institucioni që përfaqëson mirëpret aplikimin për anëtarësim të paraqitur nga Kryeministri Sali Berisha pranë Presidentit të Këshillit Evropian, Kryeministrit Mirek Topolanek. Ai ka theksuar se Shqipëria kalon një moment historik, duke treguar kështu përkushtimin e rëndësishëm të vendit ndaj vlerave dhe parimeve themeltare evropiane. Por ai nënvizon faktin se zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të lira dhe brenda standardeve është e një rëndësie të veçantë. “Shqipëria ka pasur një rol konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Dhe është tashmë në dorë të Shqipërisë të futet në një fazë të re të integrimit evropian, duke përmirësuar në veçanti sundimin e ligjit. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme në qershor mbetet një kusht kyç”, - deklaroi Leigh. Ai shpjegon se i takon Këshillit të vendosë për më tej. Komisioni është i gatshëm të përgatisë atë që quhet “opinion” për aplikimin e Shqipërisë, nëse Këshilli na fton ta bëjmë këtë. Sipas tij, perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë, është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe begatinë e rajonit, si dhe për BE-në.

OSBE: Dakord që kartat të kushtojnë 200 lekë

OSBE përmes zëvendësambasadores Renat Herrmans ka mbështetur dje idenë e shpërndarjes së kartave të identitetit me 200 lekë. Ndërkohë ajo i bëri thirrje opozitës të kthehet në Parlament dhe gjithë politikës të gjejnë një konsensus sa më shpejt për të mos rrezikuar zgjedhjet. “Duhet të gjendet sa më parë zgjidhja, pasi të dyja forcat janë të interesuara që të kenë votues në zgjedhje. Mendoj se çmimi 200 lekë është i arsyeshëm dhe puna në Kuvend është e rëndësishme, prandaj dhe opozita duhet të kthehet atje. Ne nuk mbrojmë asnjë palë në këtë përplasje, por mbështesim zgjidhjen, në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa karta, të cilat nuk janë vetëm për të votuar”, - tha Renate Harrmanns. Negociata mes dy partive kryesore në vend nisën para pak ditësh, menjëherë pas takimeve që grupi në përbërje të të cilit ishte ambasadori i SHBA-ve Xhon Uidhers, ambasadori i Komisionit Evropian Helmut Lohan, kreu i OSBE-së në Tiranë Robert Bosh dhe ambasadorja e Çekisë, e cila ka edhe presidencën e radhës së BE-së, Marketa Fialkova, zhvilluan me Kryeministrin Sali Berisha, njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike, dhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për kartat e identitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›