E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarët mundësuan ftesën për në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa tha dje se ushtarakët shqiptarë me mision në Afganistan, por edhe në vende të tjera mundësuan marrjen e ftesës për në NATO nga Shqipëria.

 Këtë deklaratë ministri i Mbrojtjes, e bëri gjatë një takimi me familjarë dhe të afërm të ushtarakëve tanë me mision në Afganistan. "Më lejoni të shpreh falenderimet e mia dhe të Qeverisë Shqiptare, për fëmijët dhe bashkëshortët tuaj, por edhe për ushtarakët tanë më të mirë, të cilët me kontributin e tyre në ruajtje të paqes dhe lirisë jo vetëm në Afganistan, por edhe në Irak e vende të tjera, mundësuan marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit, theksoi ai në fjalën e tij". Më tej Ministri Oketa, u bëri me dije familjarëve të ushtarakëve tanë se Kabineti i Ministrit të Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm kanë ndjekur me vëmendje detyrën që u është ngarkuar trupave tona atje, detyrë të cilën ata e kanë përmbushur dhe vazhdojnë ta përmbushin me sukses. Rezultatet e tyre në këto misione na bëjnë të ndihemi vërtet krenarë. Në këtë takim merrnin pjesë edhe zv.ministrja e Mbrojtjes Zana Xhuka, shefi i Shtabit të përgjithshëm të forcave të Armatosura Luan Hoxha dhe komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar gjeneral major Shpëtim Spahiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›