Ushtarët profesionistë ankohen për transportin
20 ankesa të dërguara nga efektivë të Ushtrisë janë regjistruar nga Avokati i Popullit
Ushtarët profesionistë ankohen për mos garantimin e transportit nga qendrat e banimit të tyre në autoritetet e Ushtrisë në drejtim t vendeve të tyre të punës.
Pranë Avokatit të Popullit janë paraqitur disa ankesa nga shtetasit që mbajnë statusin e ushtarit profesionist. Në pretendimet e ushtarëve ngrihet shqetësimi se transporti nga vendbanimi deri në vendin e punës duhet të sigurohet nga mjetet e ushtrisë.
Në pretendimet e tyre personat që shërbejnë në Forcat e Armatosura, pohojnë se janë të detyruar që të paguajnë vetë, në një kohë kur ky shërbim duhet të mbulohet nga reparti ushtarak ku shërbehet.
Zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes pohojnë se është miratuar një rregullore nga ky institucion për transportin ushtarak dhe normalisht transporti i kuadrove ushtarake dhe transporti i ushtarëve profesionistë duhet të garantohet nga institucioni ku ushtari kryen shërbimin. Ky shqetësim është ngritur nga vetë ushtarët të cilët ka patur nga ata që janë ankuar dhe në zyrën e Avokatit të Popullit.
Por nga ushtarët kanë patur dhe ankesa të tjera që lidhen me mënyrën e trajtimit me ushqim, për shërbimin shëndetësor, për kohën e punës dhe pushimit si dhe ankesa për strehimin e ushtarakëve.
Për të zgjidhur problemin e pushimit të ngritur nga ushtarët, Shtabi i Përgjithshëm ka bërë ndryshimin e programit stërvitor që të garantohet pushimi i ushtarakëve. Institucioni i Avokatit të Popullit do të organizojë gjatë vitit 2009 nismën e Ditëve të Hapura dhe inspektime me grup ekspertësh në reparte të ndryshme, me qëllim tërheqjen e ankesave nga ushtarët, oficerët dhe nënoficerët.