Ligji për gjykatat, përçahet PD
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Rusmali kërkon kalimin e ligjit. Kundërshton Bumçi dhe Prenga
TIRANË- Përçahet mazhoranca për projektligjin "Për Gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative", i njohur ndryshe si ligji për gjykatat, që do të gjykojnë çështjet e gjobave ndaj biznesit dhe të pushuarve nga puna.
Ndërsa Ministria e Drejtësisë ka paraqitur dje në Kuvend një draft të ri të përmirësuar të këtij projektligji, jo të gjithë deputetët e shumicës kanë qënë dakord që ai të kalonte në Komisionin e Ligjeve pa pëlqimin e opozitës.
Kështu, pavarësisht insistimit të kryetarit të komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali dhe një pjese të mirë të deputetëve të djathtë për të vijuar diskutimin e draftit nen për nen, dy nga deputetët e mazhorancës, Aldo Bumçi dhe Xhovalin Prenga kanë votuar pro kërkesës së opozitës për ta shtyrë diskutimin deri javën e ardhshme, në mënyrë që tu lihet kohë ekspertëve të PS-së që të njihen me ndryshimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë që para se të arrihej në këtë përfundim Komisioni i Ligjeve u përfshi në një debat të gjatë në lidhje me dëshirën dhe gatishmërinë e palëve për ta miratuar këtë projektligj dhe për ti dhënë përfundimisht zgjidhje problemeve administrative sidomos ato që kanë lidhje me biznesin.
"Kemi të bëjme me një projektligj i cili pa diskutim kërkon votat e të dyja palëve. Pra nuk është një histori politike, por edhe matematike në mes.
Pra ekspertët tanë kanë kërkuar kohë deri në fund të javës dhe mendoj se parlamenti ka kohën e nevojshme", - tha deputeti socialist, Pandeli Majko në emër të opozitës. Ndërkohë që duke folur në emër të ekzekutivit, Ministri i Drejtësisë ka kërkuar konsensusin e opozitës, pasi siç ka bërë të ditur ai, në draft janë pasqyruar të gjitha vërejtjet, që ekspertët socialistë kanë pasur për disa nga pikat e këtij projekti, duke bërë të qartë se tashmë nuk pritet më konsensus.
"Pra të gjitha kërkesat e nivelit teknik dhe të ekspertizës së bëra nga PS janë pranuar. Prandaj nuk ka më asnjë fushë për të eksploruar", - tha Alibeaj.
Ndërkohë në draftin e ri të riformuluar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë dhe me asistencën e EURALIUS-it, SIGMA-s, USAID-it dhe KLD-së janë pasqyruar një sërë ndryshimesh thelbësore në krahasim me draftin e parë.
Tashmë është përcaktuar që Gjykata Administrative do të ketë stafin e vet administrativ mbështetës dhe se për përzgjedhjen e gjyqtarëve do të jetë KLD ajo që do të përcaktojë kriteret.
Gjithashtu një zgjidhje e cila është kërkuar me forcë nga PS, ka qenë edhe ajo që ligji të hynte në fuqi vetëm gjashtë muaj pas botimit në fletoren zyrtare për shkak se ka si objekt të tijin ngritjen e një sistemi të tërë gjykatash dhe për të cilin kërkon një kohë të konsiderueshme.