E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR ORGANIZIMIN, KOMPETENCAT DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË ADMINISTRIMIT TË PASURIVE TË SEKUESTRUARA E TË KONFISKUARA DHE PËR PËRCAKTIMIN E SHPËRBLIMIT, TË PERSONAVE TË TRETË, NË ADMINSTRIMIN E PASURISË

V E N D I M

PëR

ORGANIZIMIN, KOMPETENCAT DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISë Së ADMINISTRIMIT Të PASURIVE

Të SEKUESTRUARA E Të KONFISKUARA DHE PëR PëRCAKTIMIN E SHPëRBLIMIT, Të PERSONAVE

Të TRETë, Në ADMINSTRIMIN E PASURISë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 15, pika 2, e 34/2, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. ORGANIZIMI I AGJENCISë Së ADMINISTRIMIT Të PASURIVE Të SEKUESTRUARA E Të KONFISKUARA

1. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, në vijim Agjencia, është institucion buxhetor, në varësi të ministrit të Financave.

2. Struktura dhe organika e Agjencisë përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Financave.

3. Marrëdheniet e punës së personelit të Agjencisë rregullohen sipas dispozitave të parashikuara në ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Agjencia drejtohet nga kryeadministratori, i cili emërohet nga ministri i Financave.

5. Agjencia ka një buxhet të veçantë, si pjesë përbërëse e buxhetit të Ministrisë së Financave. Ky buxhet mbulon shpenzimet për mbajtjen dhe funksionimin e Agjencisë, si dhe ato për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, në përputhje me nenin 20, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009.

II. KOMPETENCAT E AGJENCISë Së ADMINISTRIMIT Të PASURIVE Të SEKUESTRUARA E Të KONFISKUARA, Të KRYEADMINISTRATORIT DHE Të ADMINISTRATORIT

1. Agjencia ka për objekt të veprimtarisë:

a) administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara me vendim të gjykatës, në zbatim të ligjit nr.10192, datë 3,12,2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”;

b) administrimin e pasurive të bllokuara, sekuestruara, në zbatim të ligjit nr.9258, datë 15.7.2004, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”;

c) administrimin e pasurive të tjera, të cilat janë produkt i veprave penale apo të lidhura me to, administrimi i të cilave i caktohet kësaj Agjencie me ligj, me vendim të Këshillit të Ministrave apo me urdhër të veçantë të ministrit të Financave;

ç) bashkëpunimin me institucionet pjesëmarrëse në procesin e administrimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, si me gjykatat, prokurorinë, shërbimin përmbarimor, policinë e shtetit, institucionet e tjera shtetërore, bankat, njësitë e qeverisjes vendore dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, të sekuestruara e të konfiskuara;

d) përgatitjen e raportit të vlerësimit tekniko-financiar, i cili miratohet nga ministri i Financave, në përputhje me pikën 2, të nenit 30, ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”;

dh) verifikimin dhe përgatitjen e dokumentacionit për kërkesat për financimin e projekteve, nga fondi i posaçëm, për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor, si dhe ndjek zbatimin e tyre, në përputhje me pikën 4, të nenit 37, të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” ;

e) raportimin, për veprimtarinë e saj, të paktën një herë në tre muaj, përpara komitetit këshillimor ndërinstitucional të ekspertëve për masat kundër krimit të organizuar.

2. Kryeadministratori ka këto detyra dhe përgjegjësi:

a) organizon dhe drejton veprimtarinë e Agjencisë dhe përgjigjet e raporton, sipas dispozitave të ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, përpara ministrit të Financave dhe komitetit këshillimor ndërinstitucional të ekspertëve për masat kundër financimit të terorrizimit;

b) kërkon raportim periodik, shpjegime me shkrim dhe verifikime administrative nga administratorët, për çështjet që ata mbulojnë;

c) i paraqet gjykatës listën e ekspertëve për administrimin e pasurive, sipas kritereve të parashikuara në pikën 3, të këtij kreu, lidh kontratën e punës me administratorin, sipas dispozitave të Kodit të Punës, brenda 30 ditëve nga data e emërimit nga gjykata;

miraton dhe lidh kontratën e punës me punonjësit mbështetës të propozuar nga administratori;

ç) raporton pranë ministrit të Financave, një herë në gjashtë muaj, për mbarëvajtjen e institucionit e problematikat, si dhe një herë në tre muaj, për kontratat e lidhura, të ardhurat e realizuara dhe kryerjen e shpenzimeve për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara;

d) është përgjegjës për përgatitjen e raporteve të vlerësimit tekniko-financiar, të cilët i paraqiten për miratim ministrit të Financave;

dh) është përgjegjës për rezultatet e verifikimit dhe përgatitjen e dokumentacionit për kërkesat për financimin e projekteve nga fondi i posaçëm, për parandalimin e kriminalitetit dhe edukimin ligjor, si dhe ndjek zbatimin e tyre;

e) është përgjegjës për përgatitjen e raportit vjetor të administrimit të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, të cilin ia paraqet për miratim ministrit të Financave, brenda datës 1 dhjetor të atij viti;

ë) i paraqet, për miratim, ministrit të Financave, rregulloren e brendshme të funksionimit të Agjencisë;

f) përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët;

g) i paraqet gjykatës, të paktën brenda tremujorit të parë të vitit, listën e personave të punësuar për caktimin e administratorit të pasurisë.

3. Administratori/administratorët, zgjidhet/n nga gjykata, sipas listës së paraqitur nga kryeadministratori, e cila shprehet në vendimin e formës së prerë për sekuestrimin e pasurisë.

4. Administratori duhet, detyrimisht, të ketë arsim të plotë universitar në degët ekonomi, dhe/ose juridik.

5. Detyrat e administratorit të pasurisë përcaktohen nga kryeadministratori, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë e parashikuara në ligjin nr.10192 datë 3.12.2009.

6. Pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara, të cilat janë objekt i veprimtarisë së Agjencisë, merren në administrim sipas procedurave e përcaktuara në ligjet përkatëse dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tyre.

7.Administratori përgatit një plan shpenzimesh dhe të ardhurash për pasurinë/të në administrim të tij, të cilin e dorëzon për miratim te kryeadministratori i Agjencisë.

8. Administratori kryen raportimet e parashikuara me ligj, si dhe përgatit raporte të tjera, me kërkesë të kryeadministratorit të Agjencisë.

III. SHPENZIMET E SHëRBIMEVE PëR ADMINISTRIMIN E PASURIVE Të SEKUESTRUARA E Të KONFISKUARA

1. Shpenzimet për shërbimet e Agjencisë, për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përfshijnë:

1.1. Shpenzimet për funksionimin e Agjencisë.

1.2. Shpenzimet, që lidhen me shërbimet për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, të cilat përbëhen nga:

a) shpenzimet për shërbimet e marrjes në dorëzim;

b) shpenzimet për shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë fizike;

c) shpenzimet për shërbimet e sigurimit të domosdoshëm;

ç) shpenzimet për shërbimet për mirëmbajtjen;

d) shpenzimet që lidhen me shërbimet për mundësimin e veprimtarisë në ato pasuri të cilat mund të gjenerojnë të ardhura;

dh) shpenzimet për pagesën e administratorit të pasurisë dhe të personelit ndihmës, nëse ka të tillë;

e) shpenzimet për shërbimet për pagesën e shërbimeve të ekspertizës dhe të këshillimit teknik, për pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara.

2. Shpenzimet për administrimin e secilës prej pasurive të sekuestruara e të konfiskuara kryhen nga Agjencia, me kërkesë të administratorit të pasurisë.

3. Pagesa e administratorit dhe personit të autorizuar nga Agjencia, sipas nenit 15, të ligjit nr.10192 datë 3.12.2009, miratohet, rast pas rasti, nga ministri i Financave, pas propozimit të kryadministratorit. Propozimi paraqitet pas negocimit me administratorin e caktuar me vendim gjykate dhe shoqërohet me relacionin që argumenton masën e pagesës, sipas kritereve të volumit të punës dhe natyrës së veçantë të pasurisë/ve që jepet në administrim dhe vështirësisë së administrimit.

4. Procedurat e kryerjes së shërbimeve të përcaktuara në pikën 1.2, shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d” dhe “e”, të këtij kreu, realizohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.

5. Limitet e kryerjes së shpenzimeve për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përcaktohen nga kryeadministratori, në përputhje me legjislacionin e prokurimit publik.

IV. Të ARDHURAT NGA ADMINISTRIMI I PASURIVE Të SEKUESTRUARA E Të KONFISKUARA

1. Administrimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përfshin, por pa u kufizuar, ruajtjen dhe përdorimin e këtyre pasurive për nxjerrjen e të

ardhurave.

2. Procedurat e mbledhjes dhe të administrimit të të ardhurave përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

V. MBAJTJA DHE EVIDENTIMI I Të DHëNAVE

1. Shpenzimet dhe të ardhurat nga administrimi i secilës prej pasurive të sekuestruara e të konfiskuara llogariten për kohën gjatë së cilës janë marrë në administrim dhe evidentohen në kartela të veçanta të pasurisë në administrim. çdo veprim regjistrohet në bazë të dokumentacionit ligjor përkatës.

2. Në fund të çdo viti financiar, Agjencia përgatit dhe paraqet te ministri i Financave raportin përmbledhës financiar të veprimtarisë.

3. Rregullat e hollësishme për mënyrën e mbajtjes dhe të evidentimit të shpenzimeve dhe të të ardhurave të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.

VI. DISPOZITA Të FUNDIT

1. Vendimi nr.968, datë 2.7.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin, kompetencat dhe funksionimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, shfuqizohet.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


05/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›