VENDIM PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1135, DATË 5.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1135, DATË 5.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 88, të ligjit nr. 9749, datë 4.6. 2007, “Për Policinë e Shtetit”, të nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë 13.5.1999, “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Në vendimin nr.1135, datë 5.8.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime e shtesa:
a) Lidhja nr. 1, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit”, e përmendur në pikën 1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Pas pikës 5 shtohen pikat 5/1, 5/2 e 5/3, me këtë përmbajtje:
“5/1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që pranohet në shkollën bazë të policisë, gjatë kohës së qëndrimit në shkollë përfiton trajtim me pagë, në masën 60 për qind të pagës së gradës “Nëninspektor”, kur ka përfunduar arsimin e mesëm, dhe 100 për qind të pagës së po kësaj grade, kur ka përfunduar arsimin e lartë.
5/2. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që kryen kurse shkollimi ose trajnimi, brenda ose jashtë vendit, gjatë kohës së shkollimit/trajnimit përfiton pagën mujore të vendit të fundit të punës, para fillimit të kursit të shkollimit/trajnimit. Pagesa bëhet nga struktura e policisë, ku ka qenë efektiv përpara fillimit të shkollimit/trajnimit.
5/3. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që nuk është efektiv me kohë të plotë në institucionet e sistemit arsimor policor, por bashkëpunon me këto institucione si punonjës i jashtëm, për çdo orë mësimore 60-minutëshe, përfiton një page, si më poshtë vijon:
- Në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit zbatues, në masën 300 (treqind) lekë/për orë;
- Në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të parë drejtues, në masën 400 (katërqind) lekë/për orë;
- Në kurset e shkollimit/trajnimit për kursantët e nivelit të mesëm drejtues, në masën 500 (pesëqind) lekë/për orë.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen, si më poshtë vijon:
a) Për pikat 5/1, 5/2 e 5/3, nga buxheti i vitit 2009, miratuar për Policinë e Shtetit;
b) Për rritjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit, nga fondet për rritjen e pagave, miratuar për vitin 2009.
3. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
4. Vendimi nr.605, datë 13.10.2001, i Këshillit të Ministrave, “Për kurset e formimit profesional, të kualifikimit e specializimit në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari””, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 maj 2009.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
27/04/2009