VISENTE DEL BOSKE: Nuk pendohemi që nuk bëmë marrëveshje me Kroacinë
Trajneri i Spanjës: Nëse do të kishim barazuar në ndeshjen e fundit të grupit, axurrët do ishin jashtë, por kjo do të kishte qenë diçka shumë e shëmtuar për futbollin.
Spanja mund ta kishte dërguar në shtëpi Italinë me stil, nëse kundër Kroacisë do të kishte marrë rezultat tjetër. Por tashmë gjenden përballë italianëve sërish në finale dhe Visente Del Boske me të drejtë ka mbrojtur zgjedhjen që bëri atëherë, duke i dhënë përparësi lojës korrekte. Nuk do tia kishim lejuar vetes kurrë që të barazonim kundër Kroacisë për të eliminuar Italinë. Nuk do të ishte mirë për futbollin. Këto fjalë ai i ka thënë për “Radio Marca”, duke kujtuar gjithashtu se Antonio Di Natale deri në këtë moment është i vetmi që i ka shënuar gol Kasiljasit. ”Ne dhe Italia kemi ardhur deri në finale me një rrugëtim të ngjashëm – ka thënë Del Boske – dhe jemi në lartësinë e asaj që kërkon një finale. Italia është një skuadër që bazohet në lojën e Pirlos dhe De Rosit në mesfushë. Aksi i fortë i Italisë formohet nga Pirlo dhe Baloteli. Në fazën e grupeve kanë qenë edhe superiorë në pjesën e parë. Ishte përfaqësuesja që na krijoi më shumë probleme”. Nëse për Prandelin është Spanja favorite, për Del Bosken nuk është kështu. “Italia ka qenë katër herë kampione e botës, kështu që nuk mund të flitet për skuadër favorite mes nesh dhe atyre. Është një finale ku nisemi të barabartë. Nuk ia vlen të kujtojmë përballjen në grup. Mbaj mend se i kam thënë Kasanos ‘ta shohim a do të takohemi në finale’ dhe ja ku jemi.” Del Boske ka nisur të studiojë axurrët kundër Gjermanisë. “Italia nëse nuk fut ndonjë gjë të re në lojën e vet, do të luajë me të njëjtët lojtarë dhe me të njëjtën mënyrë si kundër Gjermanisë. I vetmi që mungoi ishte Maxho, i cili u zëvendësua nga Balxareti”. Në lidhje me gjendjen e skuadrës së tij dhe kritikave që kanë rënë mbi lojën e saj mbrojtëse, ai komenton: “Duhet të pranojmë opinionet e të gjithëve. Disa gjëra i kemi bërë mirë, si për shembull në fazën mbrojtëse. Ndoshta nuk kemi dhënë spektaklin që do të donin të gjithë të shihnin, por kemi pasur përherë çdo ndeshje nën kontrollin tonë. Penalltitë? Janë ofruar gjashtë ose shtatë lojtarë për të gjuajtur penalltitë dhe kjo është një shenjë e mirë, pasi tregon se morën përsipër përgjegjësi.”
Spanjë-Francë do të gjykohet nga Proença
Finalja e Euro 2012 mes Spanjës dhe Italisë, që luhet nesër në Kiev, do të gjykohet nga Pedro Proença. Gjyqtari portugez ka fituar balotazhin me anglezin Hauard Ueb, i cili kishte qenë gjyqtari i finales së Kupës së Botës. Proença, 41 vjeç, ka drejtuar edhe çerekfinalen e Italisë, kur axurrët eliminuan Anglinë me penallti. Në këtë Europian ai ka drejtuar edhe një ndeshje të Spanjës, në triumfin 4-0 kundër Irlandës. Gjyqtari portugez ka qenë në nivelin më të lartë gjatë këtij turneu (ka drejtuar edhe ndeshjen Suedi-Francë) dhe vjen nga një sukses në finalen e Ligës së Kampioneve, mes Çelsit dhe Bajernit të Mynihut. Proença ka debutuar në kampionatin portugez në vitin 1998 dhe pesë vite më vonë është bërë gjyqtar ndërkombëtar.
Pirlo, favorit për çmimin lojtari i turneut
Pas penalltisë së stilit lugë kundër Anglisë, Andrea Pirlo ishte protagonist edhe në ndeshjen kundër Gjermanisë dhe ka bërë për vete edhe bastvënësit e huaj. Në bastet e SkyBet, mesfushori i Juventusit është favorit për çmimin e lojtarit më të mirë të Europianit me 1,67. Në distancë e ndjek spanjolli Andreas Injesta, me 4,50, ndërsa Mario Baloteli është në kuotën 15,00. Në kuotën 21,00 është Ksabi Alonso, përpara Antonio Kasanon me 26,00. Po këtë kuotë kanë Hernandez, Silva dhe Torres.
Luis Enrike: Nuk dua hakmarrje ndaj Italisë
“Do të më pëlqente të shihja një ndeshje të madhe, me një fitore të merituar të Spanjës. Nuk dua asgjë tjetër, as hakmarrje e as gjëra të ngjashme.” Ish-tekniku spanjoll i Romës, Luis Enrike, me anë të rrjetit twitter, bën tifozllëk për Spanjën në sfidën finale të Euro 2012 mes axurrëve dhe spanjollëve, por nuk kërkon asnjë hakmarrje. Më pas në një mesazh të dytë ka shtuar: Shpresoj që askush të mos publikojë fotot e 1994-ës me Tasotin. Është një gjë që ka nisur të më lodhë”.
Spanjollët kanë frikë: Një finale mes gjigantëve
Shtypi në Madrid dhe Barcelonë: Baloteli është madhështor. Jehona e finales është komentuar edhe në Angli e Nju Jork
“Kjo Itali na fut frikën” shkruan shtypi spanjoll, që është duke u përgatitur kështu për finalen e Euro 2012. Italia ka eliminuar Gjermaninë në gjysmëfinale me rezultatin 2-1 falë dy golave të Mario Balotelit dhe nesër do të përballet me furitë e kuqe në Kiev. “Një finale mes gjigantëve”, shkruan e përditshmja Marca, e cila ëndërron tripletën iberike pas triumfit në Euro 2008 dhe në Kupën e Botës 2010. Këtë herë pengesa kryesore e kampionëve të botës është Italia, një skuadër që ngjall frikë. Gazeta As ndez reflektorët “për Balotelin e jashtëzakonshëm dhe evidenton që sulmuesi axurr e la fushën i dëmtuar. Në realitet, nuk ka dyshime për disponueshmërinë e lojtarit për finalen, pasi ka vetëm ngërçe. Fotoja e Super-Marios që tregon muskujt pas golit të dytë kundër gjermanëve është më e botuara. El Pais në veçanti ndalet te “Hulku i pabesueshëm axurr”. Për El Mundo, mbyllet kështu një cikël: Italia, kundërshtarja e parë e Spanjës më 10 qershor në Gdansk, përfaqëson “fillimin dhe fundin”.
Anglezët dorëzohen para Marios
Edhe gazetat angleze janë dorëzuar para faktit të kryer: Mario Baloteli është shumë i fortë. Ai mund të përballet me të gjithë dhe të triumfojë mbi shumë trajnerë, por ky djalë di si të luajë dhe kundër gjermanëve ka treguar më në fund arsyen përse Its Always Balotelli, siç shkruan dje gazeta Daily Express, duke na kujtuar fanellën e famshme të tij në derbin e Mançesterit, pasi dërgoi në shtëpi Gjermaninë e traumatizuar (kështu është titulli i Times). Për gjermanë nën shok flet edhe Telegraph, e cila e përkufizon Super-Marion si The Inspiration, ndërsa për gazetën Mirror, kjo ishte nëna e të gjitha tronditjeve. Dedikimi i bërë nga Baloteli për mamanë e tij Silvia është përjetësuar nga një foto mallëngjyese mes birit dhe nënës në fund të ndeshjes.
Simply the chest
Meqë jemi të fotot kujtim nga ajo natë magjike, është e paharrueshme fotoja e Marios me gjoksin lakuriq pas golit të dytë, kur nxori në pah muskujt dhe bëri që gazeta Sun të shkruante: Balos Simply The Chest, një lojë fjalësh me refrenin e famshëm të një kënge të Tina Turner. Dhe nëse për Daily Star është SuperMario Chest Great, sepse nuk ishte vetëm madhështor, por edhe two good (lojë theksimi mes fjalëve anglisht two dhe too, dy dhe shumë), është gazeta Daily Mail që i këshillon gjermanët të ndryshojnë thënien e famshme të Balotelit në Why always us?, apo përse gjithmonë ne, pasi kur përballen me përfaqësuesen italiane, dalin përherë të mundur.
Edhe New York Times
Në SHBA, dihet që futbolli apo soccer nuk është mes sporteve më të ndjekura, madje edhe injorohet nga një pjesë e sportdashësve. Por këtë herë edhe gazeta Neë York Times ka folur për arritjen e madhe të italianëve në këtë Europian, për fitoren e radhës kundër Gjermanisë në turne të rëndësishëm. “Padrone e Gjermanisë, Italia avancon dhe do të përballet në finale me Spanjën”, shkruan gazeta amerikane. “Golat kanë vetëm një emër, Super Mario Baloteli”, shkruan Nyt, du
