E Shtunë, 31 Tetor 2026

VKM-ja e re, kartat 200 lekë për personat pa pasaportë

Autori i Lajmit: Suela Topi
Përgatitet një tjetër vendim qeverie për kartat e identitetit. Ekspertët e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste kanë gati draftin në formë VKM-je për çështjen e kartave të identitetit. Drafti që do ti paraqitet kryeministrit, Sali Berisha menjëherë pas kthimit të tij nga Praga plotëson vetëm pjesërisht kërkesat e socialistëve. VKM-ja konsiston në një çmim prej 200 lekësh për kartat me të cilat do të pajisen personat që nuk kanë pasaportë. Po sipas draftit, pjesa tjetër prej 1000 lekësh do të paguhet nga qytetarët pas një periudhe 6- mujore. Pikërisht kjo gjë duket se nuk ka kënaqur shumë ekspertët socialistë të cilët nuk e pranojnë se ka një marrëveshje mes palëve për kartat por thjesht një vendim i ri qeverie. Qeveria nuk ka pranuar as kërkesën e socialistëve për sistemin one stop shop” pra kryerjen e të gjitha procedurave në një sportel të vetëm.
Negociatat.
Negociatat mes Partisë Socialiste dhe Qeverisë për karta e identitetit janë mbyllur dje. Është rënë dakord se 730 personat pa pasaportë do të paguajnë vetëm 200 lekë. Ky vendim është marrë që ditën e enjte kur dhe u ndërprenë negociatat mes palëve. Por edhe pse negociatat rinisën përsëri duket se PS nuk ka arritur të marrë miratimin e qeverisë për kërkesat e saj. Përfundimisht qeveria nuk pranoi sistemin “one stop shop” ndërsa PS mori premtimin e finalizimit me një vendim qeverie të lehtësirave financiare për 730 mijë shtetas. Burimet nga PS konfirmojnë se socialistët janë të pakënaqur nga kjo marrëveshje. Ndërkohë që kreu i G99, Erion Veliaj i cili do të jetë pjesë e koalicionit të PS-së pohoi dhe se qeveria e re e së majtës do e zgjidhë krizën duke rimbursuar tarifën e kartës së identitetit. Në bazë VKM-së së re në rast se nuk paguhet kjo shumë, atëherë qytetarët do të cilësohen debitorë ndaj shtetit. Hartimi i draftit të ri për kartat e identitetit është bërë i mundur vetëm pas ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, ndërhyrje të cilën e pranoi dhe kryeministri Berisha pak ditë më parë. Drafti i ri nuk do të prekë skemën e qeverisë për subvencionimin e disa kategorive, si personat me ndihmë sociale, studentët dhe pensionistët, të cilët edhe do të paguajnë një tarifë prej 200 lekësh për tu pajisur me kartat e identitetit. Prej më shumë se një jave PS dhe Qeveria negociuan me njëra-tjetrën për kartat e identiteti. Kjo u bë vetëm pas takimeve që ambasadorët e SHBA-së, OSBE-së, BE-së dhe Çekisë zhvilluan me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Por edhe me ndërhyrjen e tyre duket se Berisha nuk ka lëshuar shumë pe ndërkohë që Partia Socialiste është detyruar të pranojë.

Kartat, OSBE thirrje opozitës të kthehet në Parlament

OSBE mbështet idenë e kartave të identitetit me 200 lekë dhe i bën thirrje opozitës të kthehet në Parlament, megjithëse numri i seancave plenare është i kufizuar. Qëndrimi i misionit u theksua dje nga zëvendësambasadorja Renat Herrmans, e cila i kërkon klasës politike të arrijë sa më shpejt konsensusin për të mos rrezikuar zgjedhjet. “Duhet të gjendet sa më parë zgjidhja pasi të dy forcat janë të interesuar që të kenë votues në zgjedhje. Mendoj se çmimi 200 lekë është i arsyeshëm dhe puna në Kuvend është e rëndësishme, prandaj dhe opozita duhet të kthehet atje. Ne nuk mbrojmë asnjë palë në këtë përplasje por mbështesim zgjidhjen në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa karta, të cilat nuk janë vetëm për të votuar”, - tha Renate Harrmanns.

Moisiu: Zgjedhjet e qershorit të sjellin parlament të pastër

Zgjedhjet e qershorit duhet të sjellin një Parlament të pastër dhe jo korruptiv. Parlamenti duhet të jetë institucioni më i besueshëm, dhe me bazat më të larta morale. Kështu është shprehur ish- presidenti, Alfred Moisiu në hapjen e fushatës "Koalicioni kundër korrupsionit ", e organizuar nga lëvizja Mjaft . Ish-presidenti i Republikës, duke u bërë thirrje partive politike që të kenë kujdes në zgjedhjen e listës së kandidatëve ka theksuar se parlamenti i ri duhet të jetë një parlament ku mandati nuk vidhet, por fitohet dhe është i drejtë. Duke vënë theksin te zgjedhjet e qershorit, Moisiu theksoi se pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit është faktori më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve dhe sipas tij mos realizimi i këtij projekti do të ishte fatal, në këtë kohë kur Shqipëria është anëtare në NATO dhe kandidate për aplikim në BE . “Unë nuk e përjashtoj kështu si po shkojnë gjerat, domethënë që të na ndodhë. Ka një qëndrim të tillë që të bën të dyshosh. Dhe opozita ka përgjegjësinë e saj për faktin sepse këtë duhet ta kishte që në fillim, që kur u bë marrëveshja, që ranë dakord për Kodin e ri zgjedhor. Që atëherë duhet të ishte thënë me të madhe që kartat e identitetit duhet të kishin filluar”, - tha ish- presidenti Alfred Moisiu. Koalicioni për pastërtinë e Parlamentit, një formacion i cili ndryshe nga përvoja e deritanishme politike nuk synon të sjellë në Kuvend 140 deputetë por të kontrollojë ata që do të vijnë dhe ata ekzistues. Pesë organizata jo qeveritare, të mbështetura nga Ambasada Amerikane, ajo gjermane, angleze dhe holandeze do të verifikojnë CV, konsistencën politike, precedentët penalë të kandidatëve për deputetë, para se ata të përfshihen në lista partiake të 28 qershorit.

Ky lajm është publikuar: 29/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›