E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza e gjyqtarit, në aferën e armëve

"Gërdeci", Mediu i vetëm në Gjykatën e Lartë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, do të gjykohet i ndarë nga 28 të pandehurit e tjerë të akuzuar nga prokuroria shqiptare si persona që janë përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec të Vorës. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi të pranonte kërkesën e 16 prej të pandehurve të këtij procesi për veçimin e gjykimit. Drejtuesi i Kolegjit Penal, Besnik Imeraj, tha se kërkesa e avokatëve është e bazuar në ligj, duke rrëzuar për të dytën herë prokurorinë, e cila kërkoi që procesi të zhvillohej në Gjykatën e Lartë. Tashmë, në bazë të këtij vendimi, dosja në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet për "shpërdorim detyre" do të gjykohet në Gjykatën e Lartë, ndërsa dosja e 28 të pandehurve të tjerë do të gjykohet nga Gjykata e Faktit, Tiranë. Gjykata Supreme gjithashtu nuk ka pranuar as kërkesën e avokates mbrojtëse të familjeve të viktimave për të ngritur padi civile për dëmshpërblim. Sipas Kolegjit Penal të kësaj gjykate, shqyrtimi i kësaj kërkese është kompetencë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.

Seanca gjyqësore
Në fillim të seancës, gjykata i dha fjalën avokatit Vladimir Bineri, i cili kërkoi që çështja të ndahet. Më pas fjalën e mori kryehetuesi i çështjes "Gërdeci", Sokol Stojani, aktualisht drejtor i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale në Prokurorinë e Përgjithshme. Prokurori i parashtroi trupit gjykues se avokatët kanë kërkuar ndarjen e çështjes, duke u bazuar te parimi kushtetues se nëse Gjykata e Lartë vendos që t‘i dënojë ata nuk kanë ku të ankohen. Një tjetër kërkesë e mbrojtësve ishte lidhja e të pandehurit Fatmir Mediu, i cili gëzonte atributet e ministrit të Mbrojtjes gjatë tragjedisë së Gërdecit dhe të pandehurve të tjerë, të cilët nuk gëzojnë asnjë imunitet. Për këtë arsye, ata kërkonin që çështja të ndahej. Një tjetër kërkesë e tyre ishte zvarritja e procesit. Prokuroria, pasi ka përmendur kërkesat e mbrojtjes, i kërkoi trupit gjykues mospranimin e tyre, pasi shkelin haptazi Kushtetutën dhe përkatësisht nenin 141 të saj. Sipas përfaqësuesve të prokurorisë, Kushtetuta lejonte një standard të lartë gjykimi, nëse gjykata do të rrëzonte kërkesën e mbrojtjes. "Nëse çështja do të shkojë në Gjykatën e Shkallës së Parë, atëherë ky proces ka nevojë për një vendim të Gjykatës Kushtetuese", deklaruan prokurorët, duke saktësuar se kërkesat janë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale. Sipas akuzës, të pandehurit me veprimet dhe me mosveprimet e tyre kanë shkaktuar vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve dhe për këtë arsye duhet të gjykohen nga e njëjta gjykatë. "Nuk mund të ndahet çështja, pasi faktet janë të lidhura. Ndarja do të dëmtonte faktet. Shqyrtimi i dy gjykatave sjell barazvlefshmëri dhe kur këto gjykata nuk janë të të njëjtit nivel. Nëse vendosin ndryshe nga njëra-tjera, atëherë palët do të kërkonin një rishikim të vendimit", tha prokurori Sokol Stojani. Në fund përsëriti, se, duke u bazuar te faktet e sipërcituara, i kërkon Kolegjit Penal mospranimin e kërkesave të mbrojtjes të të pandehurve.

Gjyqi, pas tri orësh
Pas kërkesave të prokurorisë, trupi gjykues shtyu seancën në orën 14:00 të ditës së djeshme, me qëllim që të bëhej gati për analizimin e kërkesave të palëve në proces. Pas më shumë se tri orësh e gjysmë, trupi gjykues dha vendimin. Sipas tyre, në këtë proces avokatët e 16 të pandehurve kërkuan që çështja të ndahej, ndërsa organi i prokurorisë kërkoi që Gjykata e Lartë është kompetente për gjykimin e këtij procesi. Sipas pesëshes gjykuese, kërkesa e avokatëve është e bazuar në ligj, pasi klientët e tyre nuk gëzojnë asnjë imunitet. Gjykata tha se personat e akuzuar për ngjarjen e Gërdecit nuk kanë akuza të njëjta dhe se veprimet e disa prej tyre janë të ndryshme nga veprimet e disa të tjerëve. Më konkretisht, Kolegji Penal theksoi se kompetencë e Gjykatës së Lartë është vetëm gjykimi i të pandehurit Fatmir Mediu, i cili gëzon statusin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. "Çdo person që merr një vendim ka të drejtë të ankohet ndaj këtij vendimi. Në rastin konkret, të pandehurit që nuk u atribuohet neni 141 i Kushtetutës nuk mund të gjykohen në Gjykatën e Lartë", tha trupi gjykues. Sipas tyre, në këtë rast mund të kemi një gjykim të ndarë, ku ish-ministri i Mbrojtjes do të gjykohet nga Gjykata e Lartë dhe të pandehurit e tjerë në Gjykatën e Tiranës.

Vendimet përfundimtare
Krahas shpalljes së moskompetencës për gjykimin e të pandehurve që nuk gëzojnë imunitet të dosjes "Gërdeci", trupi gjykues u shpreh edhe për kërkesat civile në procesin penal. Sipas gjykatës, nëse këto palë do të legjitimoheshin, atëherë kishte rrezik potencial që procesi penal të kthehej në një proces civil. "Nëse kërkesa e trashëgimtarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit dhe avokaturës së shtetit do të pranohej në procesin penal, atëherë ky proces do të dëmtohej rëndë", tha kryesuesi i trupit gjykues, Besnik Imeraj. Në përfundim, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi: shpalljen e moskompetencës së Gjykatës së Lartë për gjykimin e akuzave penale në ngarkim të të pandehurve: Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullai, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Ferro, Hysni Çoçka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqiret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuci, Shpëtim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tërshana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli pinari, Shkëlzen Madani, Ardian Mullai, Sokol Ngjeçi, Dritan Minxholli, Juliana Margariti, Dashnor Çaushi, Hilmi Lacaj, dhe Albademil sh.p.k., si dhe dërgimin e çështjes në ngarkim të tyre për kompetencë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Gjithashtu, Kolegji Penal vendosi: Veçimin e padisë civile nga procesi penal të paditësve Nazmije Hazizaj etj. përfaqësuar nga avokate Blerta Kraja të legjitimuar nga organi i prokurorisë në fazën e hetimeve paraprake dhe mospranimin për shqyrtim të kërkesë-padisë së Avokatit të Shtetit dhe padive të tjera civile duke i dërguar ato për shqyrtim nga një trup gjykues civil i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Kërkesa

Avokatët, dosja duhet të ndahet

Avokatët mbrojtës të të pandehurve kërkuan një seancë më parë veçimin e dosjes për klientët e tyre. Sipas tyre, personat që ata përfaqësojnë nuk kanë imunitet dhe për pasojë nuk është kompetencë e Gjykatës së Lartë gjykimi i tyre, por është vetëm Gjykata e Tiranës. Dosja "Gërdeci" për të cilën prokuroria ngriti akuzë për 29 persona dhe një firmë, u dërgua për gjykim në Gjykatën e Lartë, pasi njëri nga të pandehurit është ish- ministri i Mbrojtjes, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kishte imunitet.

Reagimi pas seancës: Nuk po vendoset drejtësia. Familjarët paditën edhe Kryeministrin...

Trashëgimtarët e viktimave:
"Gërdeci", në Gjykatën Kushtetuese

Familjarët e viktimave të Gërdecit, të cilët kanë ndjekur nga afër të gjitha proceset gjyqësore, kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, duke këmbëngulur se është antiligjor. Përfaqësuesja ligjore e tyre në gjykatë, Blerta Kraja, tha se ky Kolegj Penal ka shkelur haptazi ligjet e shtetit shqiptar, pasi tre prej tyre duhet të jepnin dorëheqjen, pasi kishin konflikte interesi me çështjen përkatëse. Ajo shtoi se do të verifikojë vendimin përfundimtar dhe nuk do të pranojë që Gjykata e Shkallës së Parë të verifikojë padinë për dëmshpërblim, por do t‘i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për një unifikim të këtyre vendimeve. Në deklaratën pas seancës, avokatja tha se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, madje për këto kërkesa do t‘i drejtohet edhe Gjykatës së Strasburgut.
Por reagimi i avokates Kraja nuk ka qenë i vetmi. Menjëherë pas vendimit të Kolegjit Penal, i cili vendosi delegimin e dosjes në Gjykatën e Tiranës, disa familjarë kanë lëshuar akuza ndaj këtij trupi gjykues, i cili, sipas tyre, po luante me gjakun e të afërmve të tyre. Është dashur ndërhyrja e disa punonjësve të Gjykatës së Lartë që situata të normalizohej, por menjëherë sapo kanë dalë nga salla dhe kanë shkuar në korridor ku sërish janë lëshuar akuza ndaj trupit gjykues, i cili sipas tyre nuk po vendoste drejtësi.
Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë kërkesën e familjarëve të tragjedisë së Gërdecit në procesin civil, që kishin paditur edhe Kryeministrin. Ata shkruanin në padinë civile në procesin penal se me veprimet dhe mosveprimet e Kryeministrit Berisha, Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugë procedurës së trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, nga ku zë fill gjithë kjo veprimtari demontimi, e cila ka sjellë këtë pasojë kriminale. "Kryeministria është person juridik, publik, që mbështet veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, të Kryeministrit, të zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Shtetit", përgjigjet civilisht, me pasurinë e saj, për shkak të miratimit të vendimit nr.138, datë 14.03.2007, që nuk arrin të rregullojë të gjithë procedurën siç parashikohet në ligj, si dhe për shkak të mosveprimit të Kryeministrit, për të siguruar zbatimin e atij vendimi. "Siç del nga aktet e administruara në dosje, Këshilli i Ministrave ka miratuar me vendimin e tij nr.138, datë 14.03.2007, procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, nga ku zë fill gjithë kjo veprimtari demontimi, e cila ka sjellë këtë pasojë kriminale", thuhej në padi. Më pas shtohej se "Nga tërësia e akteve të administruara në dosje rezulton se Kryeministri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që të përmbushë detyrimin e tij kushtetues, pra të siguronte zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
"Nëse ai (Sali Berisha) do të kishte vepruar në mënyrë aktive, siç Kushtetuta e ngarkon, do të kishte ndaluar një ministër të nxirrte akte të tilla të kundërligjshme, apo më tej do të kishte parandaluar një ngjarje të tillë kriminale, apo së paku për atë vetë do të arrinte të shkarkonte vetveten nga pas rrjedhja e një përgjegjësie të paktën civile. Në këto kushte, duke qenë se Kryeministria është personi juridik publik (pra subjekt në qarkullimin civil, me pasuri dhe buxhet), që përgjigjet dhe i mbështet institucione të tilla si Këshillin e Ministrave apo Kryeministrin etj., dhe duke qenë se Këshilli i Ministrave ka miratuar atë vendim, si dhe për shkak të mosveprimit të Kryeministrit gjatë ushtrimit të detyrës, ka ardhur dhe ky dëm civil, atëherë kërkojmë që ky person juridik, Kryeministria, të përgjigjet civilisht, solidarisht, me të paditurit e tjerë në pagimin e dëmshpërblimit për ne, paditësit", përfundonte padia e të dëmtuarve.

Tre konfliktet e interesit për gjyqtarët

Brenda tri seancave të para
për tragjedinë e Gërdecit,
Prokuroria e Përgjithshme
është rrëzuar dy herë, dukë
vënë në pikëpyetje zbardhjen e ngjarjes
së rëndë të ndodhur më 15
mars 2008 në periferi të Tiranës, ku
humbën jetën 26 persona dhe qindra
të tjerë u plagosën. Prokuroria
dhe trashëgimtarët e viktimave i
vënë "fajin" trupit gjykues të
Gjykatës së Lartë, i cili ka shkelur
haptazi ligjet, ndërsa procesi tashmë
mund të cilësohet me plot gojë
antikushtetues. Sipas të gjitha gjasave,
procesi mund të kalojë në
Gjykatën Kushtetuese. Një ndër
parregullsitë që shfaqen është konflikti
i interesit të tre prej anëtarëve
të kolegjit penal, të cilët "votuan" dje
ndarjen e procesit. Ata "akuzohen"
se kanë konflikt interesi. Më poshtë
po publikojmë konfliktet e interesit
të gjyqtarëve Besnik Imeraj, Irma
Bala dhe Evjeni Sinoimeri.
Besnik Imeraj
I pari në listë është drejtuesi i
trupit gjykues, Besnik Imeraj. Sipas
dokumenteve që disponon gazeta,
si dhe nga aktet që ndodhen në
fashikullin e gjykimit, rezulton se
vajza e këtij gjyqtari, Marsela Imeraj,
ka qenë e autorizuar si avokate
nga administratori i shoqërisë "Albademil"
që më datën 01.08.2007 për
të kryer veprime në emër dhe për
llogari të kësaj shoqërie pranë QKRsë.
E gjithë kjo procedurë, në një kohë
që në këtë proces gjyqësor, si administratori
Mihal Delijorgji, por edhe
vetë personi juridik "Abademil", janë
me cilësinë e të pandehurve dhe të
të paditurve civilë. Në nenin 17, pika
1, shkronja "b" në Kodin e Procedurës
Penale, parashikohet ndër të tjera se:
"Gjyqtari ka për detyrë të heqë dorë
nga gjykimi i kësaj çështje konkrete
... b)... kur mbrojtësi a përfaqësuesi i
njërës prej këtyre palëve është gjini e
afërt e tij ose e bashkëshortit të tij...".
Trashëgimtarët e familjarëve të Gërdecit
ankohen se gjyqtari Besnik Imeraj
nuk duhet ta gjykonte këtë
çështje, sepse i bie që të gjykojë
mbi veprimet e kryera nga vajza e
tij. Sipas tyre, gjyqtari duhet të
kishte hequr dorë nga gjykimi i
kësaj çështje. Në dosjen e prokurorisë
është një autorizim i datës
01.08.2007 i lëshuar nga administratori
i shoqërisë "Albademil",
praktika e regjistrimit në QKR të
kalimit të kuotave nga ortaku Patrik
Henri te Mihal Delijorgji, të datës
04.12.2007 dhe një kartelë e të
dhënave familjare që provon se
avokatja Marsela Imeraj është vajza
e gjyqtarit Besnik Imeraj.
Irma Bala
Konflikti i interesit i gjyqtares
Irma Bala konsiston se gjyqtarja në
fjalë ka marrë pjesë në gjykimin,
në Gjykatën e Lartë, në dhomën e
këshillimit të një prej kërkesave të
Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë
hetimeve paraprake të këtij procedimi.
Në nenin 15 të Kodit të Procedurës
Penale thuhet se "nuk
mund të marrë pjesë në gjykim
gjyqtari që ka vleftësuar masën e
sigurimit ose çdo kërkesë tjetër të
prokurorit të paraqitur gjatë
hetimit paraprak në të njëjtin procedim".
Gjyqtarja ka marrë pjesë
në shqyrtimin, në dhomën e
këshillimit, të rekursit të paraqitur
nga personi nën hetim kundër
Prokurorisë së Përgjithshme, për
një kërkesë të kësaj të fundit gjatë
hetimeve paraprake, pikërisht
për vendosjen e sekuestros konservative.
Evjeni Sinoimeri
Gjyqtarja Evjeni Sinoimeri ka
marrë pjesë në gjykim në këtë gjykatë
të dy kërkesave të Prokurorisë së
Përgjithshme gjatë hetimeve paraprake
të këtij procedimi. Përkatësisht
gjyqtarja Sinoimeri ka gjykuar si
gjyqtare në Kolegjin Penal kërkesën
e Prokurorisë së Përgjithshme për
caktimin e masës së sigurimit ndaj
personit nën hetim, Mihal Delijorgji.
Për më tepër, po kjo gjyqtare ka marrë
pjesë në shqyrtimin në dhomën e
këshillimit, të rekursit të paraqitur
nga personi nën hetim kundër
Prokurorisë së Përgjithshme, për një
kërkesë të kësaj të fundit gjatë hetimeve
paraprake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›