E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çakrri, më rrahu Ismet Haxhia me katër të tjerë

31/05/2005  Grushta në burg për dëshmitarin që pa vrasjen e Azem Hajdarit

TIRANË – Rrihet në ambientet e burgut të sigurisë së lartë Peqin dëshmitari në procesin kundër të pandehurve për vrasjen e Azem Hajdarit, Petrit Çakrri. Ndërsa është rrahur keq, Petrit Çakrri ka marrë edhe dënimin e rëndë. Është futur në izolim. Lajmi bëhet i ditur nga vetë i dënuari Çakrri, njëkohësisht i pandehur në një proces për akuzën e mashtrimit.

Ngjarja

Disa ditë më parë, teksa është shoqëruar për në sallën e gjyqit, i pandehuri Çakrri ka deklaruar se është rrahur keq nga disa të dënuar për krime të ndryshme. Mes të dënuarve, i pandehuri Petrit Çakrri ka përmendur se ka qenë edhe i dënuari me 18 vite heqje lirie, Ismet Haxhia. Pikërisht ky ka qenë edhe emri që ai ka përmendur si njeriun që ka organizuar rrahjen e tij. Çakrri është shprehur se ka dyshime lidhur me takimin e tij me Haxhinë. Ka thënë se duke qenë kundërshtarë, ata nuk mund të dilnin në të njëjtën kohë në ajrim. Por kështu ka ndodhur. Teksa Petrit Çakrri ka marrë urdhër për të dalë në ajrim, ka parë në dhomë të hyjë Ismet Haxhia së bashku me katër shokë të tij. Menjëherë, ka treguar Çakrri, Ismet Haxhia i është drejtuar me fjalët: "t'i plehrë nuk duhej të dilje si dëshmitar në procesin kundër nesh".

Dëshmitari i procesit "Hajdari", pasi është rrahur, është ngarkuar edhe me akuza të shumta. Ai është shprehur se e kanë futur në izolim, duke e akuzuar si iniciues të zënkës. "Si mund të kem rrahuar unë pesë persona. Më futën në izolim, duke më thënë se e kisha hapur unë sherrin. I dënuari thotë se, "Ismet Haxhia ka organizuar rrahjen time dhe më pas bëri lojën për të më futur në izolim". Kështu është shprehur Çakrri, i cili, tashmë do të duhet të përballet me akuzën e mashtrimit.

Drejtori

Duket se veprimet e njëpasnjëshme të ndodhura në burgun e sigurisë së lartë Peqin, çuan në pushimin nga puna të drejtorit të këtij burgu, Hamit Kosta. Kosta u pushua nga puna me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Engjëll Hysi, ndërsa është zëvendësuar nga Agim Bardhi. Pushimin nga puna Kostës ia komunikoi nëndrejtori i Burgjeve, Hasan Ahmetaj, i cili dje u shpreh se ka bërë thjeshtë një komunikim pa dhënë sqarime lidhur me shkakun. Hamit Kosta, gjatë kohës që ka qenë drejtor në Burgun e Sigurisë së Lartë Peqin, ka bërë disa shkelje. E para ka të bëjë me lejimin e Zani Çaushit të dalë nga dhoma e të bëjë telefonata me disa media vizive. Ndërkohë që edhe shkelja e rregullores për të nxjerrë në dhomat e ajrimit të dënuar me kontradikta, është një tjetër shkelje. Duke e ditur se Petrit Çakrri ka dëshmuar kundër vëllezërve Haxhia në seancë gjyqësore, drejtuesit e burgut duhet të marrin masa për mbrojtjen e dëshmitarëve, gjë që nuk është bërë në këtë rast. Faktet jepen nga vetë i dëmtuari, që është njëkohësisht i dënuar dhe i pandehur.

Disa nga etapat e procesit "Hajdari"

12 shtator 1998 - Vritet deputeti demokrat Azem Hajdari para selisë së PD-së

Janar 2000 - Arrestohet Fatmir Meta dhe pak ditë më pas dy vëllezërit, Isamedin dhe Ismet Haxhia, të akuzuar për vrasjen e Hajdarit

3 prill 2001 - Fillon procesi gjyqësor për vrasjen e deputetit Hajdari, por seanca e parë shtyhet, me kërkesë të avokatëve mbrojtës të 5 të pandehurve. Ata ngritën pretendimin se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t'u njohur me dosjen voluminoze "Hajdari"

5 maj 2001 - Arrestohet në Tropojë, Jaho Salihi, nga efektivë të policisë speciale

4 maj 2002 - Gjykata e Tiranës shpall vendimin, në të cilin dënon me burg të përjetshëm të pandehurin Jaho Salihi, me 25 vjet të pandehurin Izet Haxhia, në mungesë, 20 vjet burg Ismet Haxhisë, 2.5 vjet Isamedin Haxhisë dhe deklaron të pafajshëm Fatmir Metën

9 korrik 2002 - Gjykata e Apelit e Tiranës lë në fuqi vendimin e dhënë në Gjykatën e Faktit, ndërsa urdhëron lirimin e Isamedin Haxhisë nga qelia, megjithëse i kishin mbetur edhe 7 muaj burg. Lirimi i tij u bë në bazë të një amnistie për të burgosurit në përgjithësi

14 shkurt 2003 - Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin e dhënë në Shkallën e Parë prej gjyqtarit Arben Micko, më 4 maj 2002, si dhe lë në fuqi më 9 korrik 2002 në Shkallë të Dytë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›