E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen punishtet prehistorike

Në afërsi të fshatit Kallamas të Komunës së Liqenasit, në Korçë, janë zbuluar dhe dy punishte, ku banorët prehistorikë prodhonin vegla pune prej guri. Arkeologët thanë se ky vendbanim që shtrihet në bregun e liqenit të Prespës së Madhe, njihet si "vendbanimi i Kallamasit" ose me toponimin "Ostrovo"

Zbulohen punishtet prehistorike

Arkeologët e ekipit shqiptaro-francez që kryen gërmime arkeologjike në zonën e Korçës, kanë zbuluar dy punishte prehistorike për prodhimin artizanal të veglave të punës prej guri, në komunën e Liqenasit. Në kërkimet e sivjetshme, ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze e cila drejtohet nga prof. Petrika Lera për palën shqiptare dhe prof. Zhil Tyshe (Gilles Tuchais) për palën franceze, ka bërë zbulime të rëndësishme që pasurojnë hartën arkeologjike të rajonit të Korçës. Vëmendja e tyre u përqendrua në njërin nga vendbanimet më të mëdha prehistorike neolitike me një sipërfaqe prej 8 hektarësh, pranë liqenit të Prespës, ku ekipi i arkeologëve qëndroi për një vit rresht në terren për studime, kërkime dhe sondazhe.

Arkeologu Lera i tha se në afërsi të fshatit Kallamas të Komunës së Liqenasit, janë zbuluar dhe dy punishte ku banorët prehistorikë prodhonin vegla pune prej guri. Ai sqaroi se ky vendbanim që shtrihet në bregun e liqenit të Prespës së Madhe, njihet si "vendbanimi i Kallamasit" ose me toponimin "Ostrovo".

"Në përvojën 30-vjeçare të gërmimeve në terren në pellgun e Korçës, zbulimet e fundit mund të konsiderohen nga më interesantet. Kjo hapësirë e gjerë e rendit vendbanimin prehistorik neolitik të Kallamasit ndër vendbanimet më të mëdha të zbuluara në gjithë hapësirën e Mesdheut”, - tha Lera. Ai shtoi se nga kërkimet dhe sondazhet e një viti, është vërejtur se jeta në këtë vendbanim fillon aty nga neoliti i mesëm dhe vazhdon deri në neolitin e vonë. "Kjo është situata stratigrafike e sotme në vendbanimin e Kallamasit dhe mund të themi se ai përfaqëson një nga vendbanimet me intensitet më të madh jete. Këtë e tregon sasia e madhe e materialit arkeologjik që ka dalë në sipërfaqe si rezultat i punimeve të herëpashershme të tokës", - tha prof. Petrika Lera. "Por, interes të veçantë përbëjnë dy punishtet ku prodhoheshin veglat e punës prej guri. Dhe, ka shumë rëndësi fakti që kemi mundur të identifikojmë se në këto dy punishte, guri që shërbente për prodhimin e veglave të punës nuk ishte gur i zonës, por importohej. Kjo flet për marrëdhënien e banorëve të hershëm të kësaj zone me vendet e tjera të afërta, marrëdhënie që zhvillohej krahas zejtarisë dhe aktivitetit me të cilin merrej popullsia", - sqaroi Lera. Arkeologët thonë se gërmimet kanë nxjerrë në dritë një material të bollshëm qeramike, enë me përmasa të ndryshme dhe të zbukuruara në mënyra të ndryshme, që flasin për botën dhe kulturën e popullsisë e cila jetonte në këtë pellg, për zhvillimet e natyrës kulturore dhe artizanatit, krahas faktit se aty kishte një jetë intensive.

Përveç enëve të shumta, në punishte dhe në zonën ku janë kryer gërmimet është zbuluar një sasi e madhe materiali arkeologjik, kryesisht punime prej guri, kocke, stralli, briri. Megjithatë, pjesa më e rëndësishme e këtij materiali janë veglat e punës prej guri, pasi shfaqen për të parën herë në këto vendbanime të shumta të pellgut të Korçës.

Faza e dytë e punës së ekspeditës do të jetë programi arkeologjik i kërkimeve përmes projeksionit, ose vrojtimi në terren, ku ekipi është angazhuar që gjatë vitit të kaluar, kryesisht në pjesën veriore të fushës së Korçës. Kjo synon që të studiohet evolucionin që ka patur liqeni i vjetër i Maliqit me zgjerimet dhe tkurrjet e veta, si dhe reagimet e popullsive që jetonin rreth tij. Ky evolucion po ndiqet që nga mijëvjeçari i dytë para Krishtit, deri në periudhën romake. Për dhjetë vjet rresht ekipi arkeologjik shqiptaro-francez ka kryer gërmime të shumta në pellgun e Korçës, si më i pasuri me vendbanime të hershme, pasi përmban në hartën arkeologjike 100 të tilla.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›