E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina kundër kancerit të mitrës, për herë të parë në Shqipëri

>Mbahet konferenca e parë shqiptare për luftën kundër kancerit në qafën e mitrës

Kanceri i qafës së mitrës tek femrat, si një sëmundje tepër e rrezikshme por dhe me një përhapje të konsiderueshme, tashmë do të mund të luftohet edhe në vendin tonë. Për herë të parë në Shqipëri do të vaksinohen një grup femrash për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Kompania Gloxo Smith Kline ka mundësuar këtë vaksinim, i cili pritet të kryhet së shpejti për kontigjentin të parë të femrave. Specialistët e shëndetësisë vlerësojnë se në vendin tonë, ky lloj kanceri prek 4.1 për 100 000 banorë. Ndërkohë që vaksinimi dhe depistimi (paptesti) ofrojnë mbrojtjen më të mirë të mundshme nga kjo patologji. Specialistët vlerësojnë se dalja e vaksinës për mbrojtjen nga kjo sëmundje krijon mundësi shumë të mëdha për të shpëtuar jetën e femrave. Parandalimi nëpërmjet vaksinimit dhe kryerjes së depistimeve periodike reduktojnë rriskun e zhvillimit të kancerit të qafës së mitrës deri në 94 për qind, konsiderojnë specialistët e shëndetësisë. Deri tani, në tregun shqiptar ka munguar vaksina kundër kësaj sëmundjeje, e cila nis të aplikohet që kur vajzat arrijnë moshën 10-vjeçare. Vaksina e kancerit të qafës së mitrës jepet si një seri prej tre dozash për një periudhë 6-mujore. Sipas specialistëve, si gratë e reja dhe ato në moshë më të rritur, janë në rrezik për të prekur nga kanceri i qafës së mitrës. Vaksina ka treguar efektivitet maksimal aty ku ajo është kryer në kohë. Të dhënat shkencore tregojnë që vaksina është e efektshme deri në moshën 55- vjeçare. Për grupmoshat mbi 26 vjeç, përpara vaksinimit rekomandohet bërja e testit për prezencën e virusit.  
Edukimi dhe ndërgjegjësimi  
Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë një rëndësi të veçantë informimit dhe edukimit të grave mbi sëmundjen dhe parandalimin e saj. Nëpërmjet këtij edukimi, ato do të kenë njohuritë dhe arsyetimin e nevojshëm rreth kancerit të qafës së mitrës dhe mënyrave të parandalimit të tij. Edukimi dhe ndërgjegjësimi për kryerjen e paptesteve, si një mënyrë parandaluese, dhe të vaksinimit, është tashmë pjesë e Strategjisë së MSH-së. Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga një virus i zakonshëm, i quajtur human papillomavirus (HPV). Nga mbi 100 tipe që njihen, vetëm 15 janë të lidhura me kancerin. Infektimi prej çdonjërit konsiderohet si shkaku i gati 99.7% të rasteve me kancer të qafës së mitrës. Tipet e HPV-ve që shkaktojnë kanceret më të shpeshtë dhe më agresivë janë HPV 16 dhe 18, të ndjekur nga HPV 45 dhe pastaj 31. Kanceret e shkaktuar nga tipat e HPV 16 dhe 18 janë përgjegjës për 71.5 për qind të kancereve të qafës së mitrës në Evropë. HPV 45 dhe 31 janë së bashku përgjegjës për një shtesë 10 për qind të të gjitha rasteve të prekura.
Të dhëna
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në vendin tonë çdo vit ka rreth 100 raste të reja me kancer të qafës së mitrës dhe në botë shifrat për këtë patologji arrijnë në 50 për qind. "Nëse ne arrijmë të kapim këtë kancer që në qelizat e para  mund të rrisim efektivitetin tonë në dy të tretat e kontigjencës më këtë patologji", konsideron MSH. Ky lloj kanceri në vendin tonë ka një përhapje mesatare prej 4.1 për 100 mijë banorë. Ai përbën 51.2 % të rasteve me tumore malinje që prekin aparatin genital femëror, ndërkohë që vihet re një tendencë e dyfishimit të të prekurve nga kjo sëmundje pas vitit 1993. Shumë problematik mbetet fakti që shumica e rasteve dignostikohet në stade të avancuara të sëmundjes, të tretin ose të katërtin, ku rreziku për jetën është jashtëzakonisht i madh. Kanceri i qafës së mitrës është tumori i dytë më i shpeshtë te gratë, mbas atij të gjirit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka llogaritur se çdo vit, afërsisht 500 000 gra diagnostikohen me kancer të qafës së mitrës dhe se mbi 50 për qind e tyre vdesin nga kjo sëmundje. Grupmoshat më të prekura në vendin tonë janë ato mbi 40 vjeç. Kulmi i të prekurave arrin në moshat 45-49 vjeç, ku përhapja është 14.9 raste për 100 mijë banorë. Në moshat 50-54 vjeç kjo përhapje shkon në 14.3 raste, kurse në moshat në 56-69 vjeç, në 12.2 raste për 100 mijë banorë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›