Valencia reklamon vetveten në fanella

Në mungesë të një sponsori pagues për fanella, Valencia ka vendosur të shfrytëzojë mundësinë për promovim të vetvetes dhe vendosi adresën e saj të rrjetit social Twitter (@Valenciacf) në qendër të fanellave të saj për ndeshjen kundër Barcelonës në La Liga të mërkurën mbrëma.
Ky mund të jetë rasti i parë që një klub nga një ligë elite e futbollit evropian reklamon llogarinë e saj të Twitterit në fanella dhe me më pak se 35 mijë përcjellës deri më tani klubi duket se kishte nevojë për të shpërndarë kërkesën.
Tani mund të mos kalojë kohë e gjatë para se një klub tjetër të vendosë adresën e tij të Twitterit në fanellat e veta, ose madje edhe në stadium. Pavarësisht gjendjes jo të mirë financiare, Valencia është lider në La Liga pas katër xhirove, me 10 pikë. Të mërkurën mbrëma ajo barazoi 2-2 me kampionin aktual Barcelonën, ndërsa dy herë kishte qenë në epërsi.