Van Persie nuk shitet edhe nëse vjen Podolski

Van Persie ende nuk ka vazhduar kontratën e tij me Arsenalin që i skadon më 2013, kurse BBC Sport ka njoftuar më herët gjatë javës se gjiganti londinez ka arritur marrëveshje për transferimin e Podolskit, në fund të këtij sezoni.
“Plani ynë është të mbajmë Van Persien edhe nëse blejmë një sulmues tjetër”, tha Wenger. Duke diskutuar për interesimin e Manchester Cityt për yllin holandez, ai shtoi: “Ajo që thuhet për ju nga klubet tjera është pjesë e punës. Por, me rëndësi është vetëm të fitoni ndeshjen e ardhshme. Të tjerat janë të parëndësishme. Robin është lider i skuadrës. Ai ka kontratë deri më 2013”.
Podolski pritet të përfundojë testet mjekësore para se të arrijë marrëveshje personale me Arsenalin. Por, Wenger ka insistuar se klubi ende nuk ka siguruar shërbimet e 26 vjeçarit.
“Nuk kam shumë për të thënë rreth kësaj sepse nëse transferojmë një futbollist, do t’ju njoftojmë. Për momentin nuk e kemi transferuar askënd. Nuk ekziston marrëveshja. Podolski është futbollist i mirë, nuk e mohoj këtë”, përfundoi Wenger.