E Diel, 1 Nëntor 2026

Varrimi i Gedafit mund te perfundoje ne det si Bin Laden

Autoritetet libiane kanë planifikuar një varrim të fshehtë për ish-kolonel Muamer Gadafin, ndërsa NATO zyrtarizon fundin e operacioneve ushtarake në Libi. Ministri i jashtëm francez Alain Juppe tha se operacioni ushtarak i Aleancës në Libi mund të konsiderohet si "i përfunduar " me vdekjen e Gaddafi. Tani i gjithë territori i Libisë është nën kontrollin e Këshillit Kombëtar të Përkohshëm. 

Vetëm pak orë pas vdekjes së Gadafit udhëheqja e re në Libi hodhi themelet për ndërtimin e një shteti demokratik. Kryeministri në detyrë Mahmud Xhibril sqaroi se sipas të gjitha gjasave të shtunën do të shpallë edhe zyrtarisht fillimin e një faze kalimtare, në rrugë drejt demokracisë. Brenda një muaji pastaj do të formohet një qeveri e re kalimtare. Tetë muaj më vonë do të formohet një kongres kombëtar. Udhëheqës ushtarakë të Këshillit Tranzitor deklaruan ndërkohë se qyteti bregdetar Sirte kështjella e fundit e Gadafit është çliruar plotësisht.
Autoritetet tani duhet të vendosin si duhet të trajtojnë vdekjen e Kolonel Gedafit dhe në veçanti varrimin e tij.

Ka disa spekulime se atë mund ta varrosin në det, si ish liderin e Al-Kaedës Osama Bin Laden, për të shmangur shndërrimin në një vend të shenjtë apo dhe përdhosjen e varrit të tij. Megjithatë, sa vijnë e shtohen pyetjet për momentet e fundit pas kapjes së tij në Sirte. Autoritetet kanë mohuar që ai u ekzekutua. Këshilli Tranzitor pretendon se ai ishte qëlluar në kokë në një shkëmbim zjarri mes besnikëve të Gaddafit dhe luftëtarëve të Këshillit, pas kapjes e tij.

Ndërsa ka video që e tregojnë kolonelin duke u zvarritur nëpër rrugë apo dhe një i ri që tregon një pistoletë ari, për të cilën thotë se ia kishte marrë Gadafit. Në këtë tymnajë detajesh, grupi mbrojtës i të drejtave të njeriut “Amnesty International” bëri thirrje për "një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshme" për rrethanat e vdekjes së njeriut që për mëse 40 vjet mbajti pushtetin në Libi.

Pavarësisht nga debatet, festimet vazhdojnë në qytetet e Libisë. Grupet e të rinjve qëlluan me armë në ajër, ndërsa u binin pareshtur burive të automjeteve. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton, duke folur nga kryeqytetin pakistanez Islamabad, tha se vdekja e Kolonel Gedafit shënoi fillimin e një epoke të re për popullin libian. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen tha se “pas 42 vitesh, shteti i frikës i kolonel Gadafit ka marrë fund”. “U bëj thirrje të gjithë libianëve të lenë mosmarrëveshjet dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme”, u shpreh Rasmusen. Një thirrje kjo për pajtim me të cilën janë bashkuar të gjithë krerët e shteteve.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›