Vasili: Kolegji Zgjedhor të mos bjerë pre e presioneve dhe e kërcënimeve
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nga Kolegji Zgjedhor që të mos bjerë pre e kërcënimeve dhe e presioneve gjatë nisjes së procesit të ankimeve të rezultateve për zgjedhjet e 28 qershorit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili duke denoncuar presionet dhe kërcënimet që i janë bërë KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, bëri apel që këto institucione të udhëhiqen vetëm nga ligji dhe të mos influencohen nga asnjë lloj presioni apo kombinacioni politik. “Gjatë gjithë kësaj kohe opinioni publik është përballuar me presione deri edhe kërcënime gjithfarësh gjate procesit te vendimmarrjes se institucioneve si KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, institucione që gëzojnë autoritetin ligjor që të certifikojnë zgjedhjet në Shqipëri. Ne i bëjmë thirrje Kolegjit Zgjedhor që në veprimtarinë e tij të udhëhiqet vetëm nga ligji dhe Kodi Zgjedhor dhe të mos influencohet nga asnjë lloj presioni apo kombinacioni politik ngado që ai të vijë. Pavarësisht nga rezervat që LSI-ja ka për zgjedhjet dhe standartet e tyre ne kemi respektuar institucionet që ngarkon ligji si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji zgjedhor. Këto institucione janë ndërtuar nëpërmjet konsensusit të gjerë të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike dhe si të tilla duhen respektuar me qetësi si funksionimi ashtu edhe vendimet e tyre duke u distancuar nga presionet e njëanshme dhe anakronike për qëllime të përfitimit të ngushtë partiak”, deklaroi Vasili. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së ironizoi edhe përcaktimet që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i ka bërë bashkëpunimit PD-LSI, duke e cilësuar atë si një martesë mes liderëve të partive respektive. Sipas Vasilit, Rama e ka të pamundur të shkëputet nga para-politika. “Më thënë të vërtetën zoti Rama e ka të pa mundur të shkëputet nga para-politika. Por edhe kur e bënë atë sërish e ka të pa mundur të dalë nga dëshira e tij për të interpretuar në mënyrë erotike si marrëdhënie midis meshkujve, të gjitha vendimet institucionale politike”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili.
21 Korrik 2009