Vasili: Kontrolle të rrepta për ligjin antiduhan
Ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, zhvilloi dje një takim me drejtorët e shëndetit publik në rrethe, ku komunikoi dhënien e setit material të sistemit të referimit, mbi bazë të të cilit do të zhvillohet sistemi shëndetësor. Sipas ministrit Vasili, askush që nuk është i siguruar, nuk do të kurohet në spitale, pa paguar tarifën shtetërore. Ndërkohë, ai komunikoi edhe riaktivizimin e ligjit antiduhan, duke paralajmëruar pushime nga puna për drejtuesit e institucioneve shtetërore, të cilët lejojnë konsumimin e duhanit në mjediset shtetërore dhe gjoba për bizneset private që e shkelin atë.
Ligji antiduhan
“Inspektorët tanë po punojnë në terren, në mënyrë që dhe subjektet private ta zbatojnë këtë ligj. Zbatim pa asnjë kompromis të ligjit antiduhan”, - ka theksuar ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, duke vendosur pikat mbi i në paralajmërimin e bërë publik nga Instituti i Shëndetit Publik për riaktivizimin e mjeteve kontrolluese për zbatimin e ligjit kundër përdorimit të duhanit në mjediset publike.
Ministri Vasili ka deklaruar se të gjithë ata drejtorë të institucioneve shtetërore që tolerojnë moszbatimin e këtij ligji në mjediset e punës që ata drejtojnë, do të ndëshkohen, nëse vërehet diçka e tillë nga inspektimet e Institutit të Shëndetit Publik, duke u paralajmëruar ose duke u pushuar nga puna. Ndërkohë, për sa u përket bizneseve private, sipas ministrit Vasili, do të vijojnë kontrollet e rrepta të nisura pak ditë më parë dhe do të gjobiten sipas ligjit në fuqi.
Sigurimet
“Kemi një kategori në nivel kombëtar që është objekt i pagimit të sigurimeve shëndetësore dhe kemi disa kategori të mëdha të mbrojtura me ligj nga shteti shqiptar, siç janë fëmijët, pensionistët, veteranët, invalidë, shtresa të tjera të njohura me ligj”, - tha ministri Vasili, duke u bërë të gjithë qytetarëve shqiptarë thirrje për të paguar sigurimet shëndetësore, si i vetmi mjet për mbështetjen e shëndetit publik.
“Të gjithë këtyre njerëzve në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë shteti dhe ligji u ka njohur të drejtën e kurimit të tyre në spitalet tona pa pagesë për arsye të veçorive që ata kanë.
Të gjithë të tjerët që kanë detyrime të paguajnë sistemin shëndetësor, do të paguajnë në mënyrë krejtësisht formale të rregullt dhe pranë institucioneve shëndetësore, për të qenë të qartë me të gjithë opinionin publik”, - tha ai.
Sipas tij, qëndrimi dhe denoncimi do të jetë i dyanshëm edhe për mjekët, por qoftë dhe për qytetarët që japin ryshfet, ndërsa çdo ankesë e qytetarëve për kërkim ryshfeti do të korrespondojë me masën përkatëse administrative ndaj secilit që prish rregullin.