Vasili: Po shpërdorohet administrata
LSI ka akuzuar qeverinë se ka lënë punën dhe po merret vetëm me fushatë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Petrit Vasili, tha dje se “komunikimi i qytetarëve me administratën shtetërore për qindra e qindra halle të tyre është bërë i pamundur, sepse kjo administratë ka humbur tërësisht rolin e saj dhe është shndërruar në një administratë elektorale që transportohet anekënd Shqipërisë për të mbushur sheshet elektorale të Berishës”. Sipas tij, shpërdorimi i administratës shtetërore për qëllime elektorale ka paralizuar plotësisht funksionimin e shtetit, duke e kthyer shtetin nga një garant të interesave të qytetarëve, në një antishtet elektoral. LSI bën thirrje që “Sali Berisha duhet të kthehet sa më parë në zyrën e Kryeministrit, për të drejtuar qeverinë edhe në këto pak ditë që i kanë mbetur, sepse drejtimi i shtetit nuk është një biznes familjar, por një detyrim publik ndaj më shumë se tre milionë shqiptarëve”.